Gazetar: Petar Çaushevski
Një punëtor ka ndërruar jetë ndërsa tre të tjerë janë lënduar pas shembjes së dheut gjatë gërmimit të themeleve për ndërtimin e një ndërtese në komunën e Kisella Vodës. Operacioni i shpëtimit nga njësitë e MPB-së, Qendra për Menaxhim me Kriza dhe njësitë e zjarrfikësve mori shumë kohë. Qytetarët që jetojnë afër vendit të ngjarjes janë të tronditur nga tragjedia.
“Kjo është tragjedi. Nuk e di si mundet, jo tani, por gjithmonë kur kaloj shoh se ndërtohen ndërtesa njëra pranë tjetrës dhe gërmohet pranë themeleve të tyre. Të gjithë janë ekspertë, të gjithë janë kompetentë për të dhënë leje, për të lejuar ndërtimin. Të ndërtohet mur pranë murit, të gërmohet themeli. Pse nuk reagojnë pronarët që ndërtojnë pranë tyre?,” tja një dëshmitar.
Nga Qendra e Urgjencës thonë se tek ata janë transportuar tre punëtorë të lënduar. Dy prej tyre kanë lëndime më të lehta trupore dhe kontuzione, ndërsa janë duke u kryer procedurat diagnostike. Tek njëri prej tyre është trajtuar menjëherë lëndim në bërryl, ndërsa pacienti i tretë ka fraktura në këmbë. Për tragjedinë në vendngjarje është kryer inspektim nga prokurori publik.
“Prokurori publik ka lëshuar urdhër për autopsinë e të ndjerit. Në drejtim të hetimit të shkaqeve të aksidentit dhe respektimit të rregullave për siguri në punë, po veprojnë edhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe inspektori komunal i ndërtimit,” thane nga PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE – SHKUP.
- Është lëshuar urdhër për autopsinë e të ndjerit
- Po veprojnë Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektori Komunal i Ndërtimit
Objekti ku ndodhi tragjedia ndodhet në rrugën “Kozjak” ndërsa si investitor paraqitet “Nar Investment”, e themeluar nga ish-kryetari i komunës së Aerodromit, Iviça Konevski. Një tragjedi e ngjashme ndodhi edhe para shtatë viteve kur në Çair të Shkupit humbën jetën dy vëllezër, ndërsa një punëtor u lëndua, pasi u mbuluan nga dheu gjatë gërmimit të një kanali për rrjetin e ujësjellësit. /Alsat.mk



