Zgjodhi varrin e babës që t’i japë fund jetës. Kolë Marku, 45 vjeç, nga fshati Dol në Komunën e Gjakovës, mëngjesin e së shtunës vrau veten duke pirë acid. Ai u gjet i vdekur mbi varrin e babait të tij, i cili kishte ndërruar jetë vite më parë. I ndjeri ishte i martuar dhe la pas 3 fëmijë. Më i madhi 15 vjeç. Familja thotë se nuk i di motivet që shtynë 45-vjeçarin t’ia merrte jetën vetes.
Dhjetëra njerëz mëngjesin e së martës ia kishin mësyrë shtëpisë së Kolë Markut ku jeton familja e tij për të shprehur ngushëllime. Kjo pasi që 45-vjeçari, mëngjesin e së shtunës i dha fund jetës duke pirë acid.
Gazeta Express, të martën, ka qëndruar në shtëpinë e të ndjerit Kolë Maraj, familjarët e të cilit kanë rrëfyer për momentin kur e kanë gjetur 45-vjeçarin të vdekur.
Marku, zgjodhi varrin e babait i cili i kishte vdekur vite më parë, që t’i jepte fund jetës. Por para se ta kryente këtë akt, i ndjeri kishte telefonuar gruan dhe djalin për t’ia kumtuar lajmin se e ka ndërmend t’i jepte fund jetës, duke u treguar lokacionin se ku planifikonte ta kryente vetëvrasjen. E ka qenë vetë djali i tij 15 vjeç, i cili e ka gjetur babanë të vdekur në varreza.
Kështu ka thënë për Express vëllai i të ndjerit, Viktor Marku. Thotë se vëllai i tij nuk kishte vuajtur nga ndonjë sëmundje e as nuk kishte pasur probleme. E përshkruan si një njeri të qetë dhe mjaft familjar.
Viktori, vëllai i të ndjerit, thotë se ende nuk i di motivet që e kanë shtyrë atë të kryente aktin e vetëvrasjes.
“Vëllai i ka pas 45 vjet. Nuk ka pas ndonjë problem. Nuk ka qenë i shqetësuar apo depresiv. Ai ka ba vetëvrasje tek varri i babës. Ai para se ta kryente aktin e ka lajmëruar familjen, gruan dhe djalin, edhe kur kemi shku na e kemi gjet pa shenja jete”, rrëfen vëllai i të ndjerit.
Ai thotë se ka qenë vetë vëllai i tij ai i cili e ka lajmëruar familjen se do të bënte vetëvrasje. U kishte treguar edhe lokacionin se ku e kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë.
“Pasi që na ka lajmëruar kemi shkuar pastaj unë edhe djali i tij, djali im edhe e kemi gjetë”. Por Viktor Marku tregon se i ndjeri kishte pasur probleme me pijen. Madje tek vendi ku është kryer vetëvrasja është gjetur edhe një shishe me birrë.
“Kola ka punu këtu me neve, me punë të shtëpisë. Ai ka pi”, thotë ai.
I ndjeri ishte i martuar dhe ka lënë pas tre fëmijë. Më i madhi 15 vjeç.
Ndërkohë Policia e Kosovës është duke i vazhduar hetimet lidhur me këtë rast. Vdekja është konstatuar si e dyshimtë. /GazetaExpress/.