Gazetare: Ajnur Bafqari
Dyert në Strasburg nuk janë mbyllur, por është lënë hapësirë që të shteren të gjitha mjetet juridike në vend. Gjykatësja e Supremes dhe ish gjykatëse e në Strasburg, Mirjana Llazarova Trajkovska i cilësoi si të pabaza kritikat se Gjykata e Strasburgut nuk e ka respektuar praktikën e vetë me vendimin për hedhjen poshtë të ankesave të ish funksionarëve të VMRO-së lidhur me faljen e ish Presidentit Ivanov.
“Këtu gjykata nuk i ka mbyllur të gjitha dyert dhe dritaret dhe të thotë ne e hedhim poshtë këtë çështje, sepse ankesat nga përmbajtja e tyre nuk ngrenë çështje juridike. Ka thënë ne punojmë në bazë të parimit të subsidiaritetit që kërkon që fillimisht gjykatat e shtetit të prononcohen dhe për këtë arsye, ju keni bërë lëshim, që të kërkoni nga gjykatat nacionale të prononcohen mbi këto çështje ligjore”, tha Mirjana Llazarova Trajkovska, Gjykata Supreme.
Llazarova Trajkovska në emisionin 360 në Alsat tha se, kur Gjykata e Strasburgut kërkon zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës pwr mbrojtjen e tw drejtave tw njeriut, nënkupton që të gjitha instancat e autoritetit gjyqësor duhet të respektojnë dhe zbatojnë Konventën.
Në abolimin e Gjorge Ivanov të vitit 2016 ishin të përfshirë gjithsej 56 persona ndërkaq në vitin 2017 vetëm disa prej tyre u ankuan në Strasburg për atë që sipas tyre, falja e presidentit nuk mund të tërhiqet dhe ata nuk duhet të ndiqen penalisht për lëndët që kanë të bëjnë me përgjimin masiv dhe shkatërrimin e mjeteve përgjuese, “Target Fortesa” për parregullsi zgjedhore, “Titanik” për keqpërdorim në organizimin e transportit të nxënësve në Manastir, “Transportuesi”, si dhe lënda për rrënimin e objektit “Kozmos” të njohur si “TNT”.Në mesin e emrave që fillimisht i fali dhe pastaj e tërhoqi vendimin, janë Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Gordana Jankullovska, Mile Janakieski, Zoran Zaev, Branko Cërvenkovski, Menduh Thaçi, Bedredin Ibraimi, Fatime Fetai, Lile Stefanova dhe tjerë./Alsat.mk