Në shtator të vitit 2017, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pas sulmeve të qenve endacakë ndaj një djaloshi 4 vjeçar në lagjen “Emshir”, dhe dy fëmijëve të tjerë të sulmuar në lagjen “Ulpiana”.
Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, pak ditë më vonë kishte kërkuar nga të gjitha komunat e Kosovës të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.
Në dhjetor të atij viti, me kërkesën e Asocacionit të Komunave të Kosovës dhe Agjencionit të Veterinarisë dhe Ushqimit (AUV) , Qeveria miratoi kërkesën dhe ndau 1.3 milion euro, për zbatimin e Planit të Veprimit, ku në një periudhë prej 4 viteve parashikohej një strategji gjithëpërfshirëse për kontrollin e qenve endacakë ku do të përfshinte: edukimin, reduktimin e qenve endacakë, regjistrimin e qenve dhe pronarëve të tyre dhe licencimin e mbarështuesve dhe strehimoreve private.
Në vitin 2018 filloi projekti “Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacakë”, ku aplikohej metoda KSVL (Kapje – Sterilizim – Vaksinim – Lëshim), ku parashikohej që numri i qenve endacakë të ulej. Ky projekt përfundoi në dhjetor të vitit 2018.
Organizata vullnetare “United for Animals”, e cila në baza vullnetare mirret me të drejtat e kafshëve, thotë se përkrah metodës KSVL, duhet të bëhet edhe edukimi dhe ngritja e vetëdijës tek qytetarët, sidomos tek fëmijët.
“Përkrah procesit të KSVL, duhet të bëhet edhe edukimi dhe ngritja e vetëdijes tek qytetarët, e posaqërisht tek fëmijët e shkollave fillore. Gjithashtu duhet të krijohet një databazë qendrore nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët kanë premtuar se do ta bëjnë, për regjistrimin e qenëve me pronar”, thuhet në përgjigjen e organizatës për kallxo.com.
Arber Taraku, i cili është emëruar udhëheqës i Projektit Nacional “Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacakë” 4 muaj pasi ka filluar projekti thotë se trajtimi i qenve endacakë është përgjegjësi e komunave dhe Agjencionit të Veterinarisë.
Sipas tij, së pari duhet të regjistrohen të gjithë qentë që janë me pronarë dhe pastaj të nxirret ligji për keqtrajtimin e kafshëve.
“Gjatë vitit 2018, në Kosovë janë 14 mijë qenë që janë trajtuar dhe të njëjtit nuk kanë mundësi të riprodukohen. Sikur mos të ishin trajtuar tani, do të kishim mbi 20 mijë qenë më shumë në rrugë. Llogaritet që kanë mbetur edhe rreth 12 mijë qenë të patrajtuar të cilët deri në fund të këtij viti mund të duplifikohen”, ka thënë Taraku.
Ai ka bërë të ditur se prej 1.3 milion eurove sa janë ndarë për projektin, kanë mbetur pa u shpenzuar përafërsisht rreth 150 mijë euro.
Trajtimi qeveritar ndaj qenve nuk është e vetmja brengë këtyre ditëve.
Ditëve të fundit vazhdimisht është raportuar nëpër media rreth organizimit të garave të përleshjeve me qenë, ku qentë luftonin në mes vete deri në ngordhje . Kjo bëri që tri organizatat që merren me të drejtat e kafshëve, United for Animals, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe Kosovo Pet Rescue t’i drejtohen Qeverisë dhe Asosacionit të Komunave të Kosovës, me disa kërkesa për ndalimin e këtyre garave.
Kërkesat përfshinin:
1.Lëshimin e një urdhërese apo vendimi për paralajmërimin dhe ndalimin urgjent të luftërave apo garave me qen, tek organet respektive, konkretisht tek Policia e Kosovës dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike në secilën komunë. 2. Identifikimin e individëve/abuzuesve të qenve, si kryerës të veprave të tilla jashtëligjore dhe monitorimin e vazhdueshëm të aktiviteteve të tyre. 3. Marrjen e masave ndëshkimore të parapara me legjislacionin në fuqi, nga inspektorët komunalë dhe veterinerë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës. 3. Identifikimin e mbarështuesve të paregjistruar të qenve me qëllim të shitjes së këlyshëve për gara dhe luftëra.
Organizata “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve” thotë se projekti i vitit të kaluar duhet të vazhdojë, pasi nëse nuk bëhet një gjë e tillë, atëherë mund të quhet i dështuar.
“Projekti për të pasë sukses, duhet të vazhdojë edhe më tej, gjithsesi për momentin ka hamendje se nëse Qeveria do të vazhdojë të ndajë buxhet. Nëse ky projekt nuk vazhdohet, atëherë mund të quhet i dështuar, shkaku që shumimi i qenëve tjerë të pa trajtuar do të vazhdojë pa problem. Luftërat e qenve janë veçse të ndaluara me ligj në Kosovë, tashmë edhe ndryshimet e kodit penal, e rikualifikojnë këto ndeshje si vepra penale, çka edhe do jep arsye për neve të shtojmë persionin ndaj organeve shtetërore në këtë aspekt”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër zyrtari për informim në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) Lumir Thaçi, ka thënë se AUV që nga viti 2000 ka ndërmarrë masa të ndryshme si në aspektin informues po ashtu edhe në atë legjislative.
“Projekti Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacakë është zhvilluar ne mbarë territorin e Kosovës, ku janë angazhuar 90 % e veterinarëve lokalë të licencuar. Projekti është zhvilluar me sukses dhe ka përfunduar me sukses. Në njërën anë e kemi arritë të vetëdijësojmë popullatën në çështjen e qenve endacakë dhe në anën tjetër e kemi krijuar një klimë të mirë për përkujdesjen e kafshëve endacakë dhe atyre përkëdhelëse si nga ana e trajtimit human dhe si nga ana e ndërhyrjeve medicinale profesionale nga ana e veterinarëve”, ka thënë Thaçi për kallxo.com.
Ai ka bërë të ditur se në planin e aktivitetit legjislativ për vitin 2020 do të hartohen rregulloret e veçanta për qenët agresivë, ku në bazë të kësaj rregullore parashihet kontrollimi dhe trajtimi për llojet e qenve agresivë në Kosovë.
Vetëm Komuna e Rahovecit dhe ajo e Vushtrrisë kanë ndaluar me anë të urdhëresave organizimin e garave të përleshjes me qen, ku gjobat parashihen të jenë prej 100 deri në 5 mijë euro, për ata që organizojnë këto gara.
“Megjithatë, edhe pse Ligji për përkujdesje ndaj kafshëve ekziston, i njëjti nuk po zbatohet. Kafshët, qentë në veçanti, keqtrajtohen në tregun e veturave dhe Policia dhe inspektorati komunal nuk ka ndërmarr masa për ndaljen e kësaj dukurie kaq negative”, thotë organizata “United for Animals”.