Gazetar: Zekirija Haxhiu
Deputetët anëtarë të komisionit për mbikëqyrje mbi punën e ASK-së dhe Agjencisë së Inteligjencës, vizituan Agjencinë për Siguri Kombëtare.
Grupi i përbërë kryesisht prej deputetëve të VMRO-së, dhe vetëm një nga LSDM, nga ASK do të kërkojnë prezantimin e të gjithë dokumentacionit lidhur me informacionet e fundit për përgjime të mundshme gjatë periudhës 2019-2024.
Deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska, tha se do të kërkojë deklasifikim të të gjitha dokumenteve e nëse kjo nuk i lejohet, atëherë sipas saj, këto informacione do të ngelin thjeshtë spekulime.
“Unë personalisht kam përgatitur rreth tridhjetë pyetje që do t’i parashtroj dhe të cilat kuptohet janë për zbardhjen e këtij rasti. Një nga ato pyetje që do ta parashtroj e nëse takimi është i klasifikuar nuk do të mund ta ndaj me opinionin, është se çfarë ka ndodhur me poligrafistin i cili përmendet në brifingjet që kishte një pjesë e publikut si kryesori në këtë rast, ai i cili i ka shitur testimet e poligrafit, a është ende në punë, a është larguar a është larguar nën presion e kështu me radhë. Çfarë ka ndodhur me shefin e kontrollit të brendshëm, pse është zëvendësuar sipas informacioneve të mia, ndoshta nuk është e vërtetë”, tha Sllavjanka Petrovska – LSDM.
Deputeti Lupço Prenxhov nga VMRO-DPMNE, thotë se më me rëndësi është të mësohet se kush kë ka përgjuar dhe pse por nuk tregon nëse do të kërkojnë deklasifikim të dokumenteve. Nëse ndodhë që nuk dinë të punojnë me pajisjet elektronike për përgjim, thotë se nëse ka nevojë, do të kërkojnë ndihmën e kolegëve nga komisioni për mbikëqyrje të masave për ndjekjen e komunikimeve.
“Ajo që është me rëndësi, është të shohim çfarë saktë ka ndodhur , të shohim se kush ka qenë target , të shohim se cilat masa janë ndërmarrë kundër opozitës së atëhershme , çfarë është dërguar deri te Prokuroria e Republikës së Maqedonisë dhe përfundimisht këto institucione të zbardhin këto gjëra dhe të mos përsëriten më asnjëherë në shoqërinë e Maqedonisë sepse konsideroj se shërbimet duhet të jenë mbrojtës të shtetit e jo gjeneratorë të krizave në shtet”, u shpreh Lupço Prenxhov – VMRO-DPMNE.
Me kërkesë të deputetëve nga shumica parlamentare, anëtarët e këtij komisioni nesër gjithashtu nga ora 12 do të kryejnë mbikëqyrje edhe mbi punën e Agjencisë së Inteligjencës./ Alsat.mk




