Një aksident mes katër veturave ka ndodhur gjatë ditës së sotme, në qendër të qytetit të Gjakovës.
Të përfshira kanë qenë një veturë e policisë dhe tri vetura tjera të zakonshme.
E gjithë ngjarja kishte filluar, që nga momenti, kur vetura e Policisë, nuk kishte arritur që të lëvizë, për shkak të ngecjes në borë. Rrjedhimisht, vetura e Policisë së Kosovës, kishte ngecur në mes të rrugës.
Në videon e postuar nëpër rrjete sociale, shihet se dy vetura, njëra pas tjetrës, lëshohen në rrugën e tyre, por frenimi i tyre ishte i pamundur – dhe kështu ato kanë goditur veturën e Policisë.
Në video, shihet se nga një anë krejtësisht tjetër, i aksidentuar kishte mbetur edhe një makinë tjetër, e cila po ashtu, kishte goditur veturën e Policisë së Kosovës.
Kohëve të fundit, në vend, janë shtuar jashtëzakonisht shumë aksidentet e komunikacionit.
Kjo ka rezultuar, edhe për shkak të reshjeve të mëdha të borës, që kanë mbretëruar gjatë ditëve të fundit në Kosovë.