Trekëndëshi i Brukselit

Çfarë fuqie organizative dhe potenciali negociator kanë Kosova, Serbia dhe Bashkimi Evropian. Çka mund të pritet javëve të ardhshme në përgatitje të finales së dialogut Kosovë – Serbi.

Nëse me njësitë matëse të fuqisë organizative dhe të potencialit negociator, pak javë para se të nisin bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit për arritjen e Marrëveshjes ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të vlerësohej situata në Kosovë, në Serbi dhe në BE (në Zyren e Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherinit), me gjasë, do të mund të mbërrihej tek këto konkudime.

Nëse këtu, në këtë analizë do të fillonim me pozitën e Serbisë, gjegjësisht të Presidentit të saj, Aleksandar Vuçiqit, nuk ka kurfarë dyshimi që ai është dhe do të mbetet adresa e vetme zyrtare serbe që ka përgjegjësinë e plotë për t’i prirë bisedimeve në Bruksel. Pra, aktualisht, Serbia, apo, lidershipi i saj që njeh vetëm një emër të vetëm, Presidentin Aleksandar Vuçiq, ka një fuqi maksimale organizative në pritje të dialogut final me përfaqësuesit e Kosovës. Megjithatë, në anën tjetër, Vuçiq nuk mund aspak të krenohet edhe me potencialin negociator me të cilin ai posedon në këto rrethana. Vuçiq, realisht, ka pësuar një goditje të dyfishtë, brenda Serbisë dhe në shtetet kryesore perëndimore, kohëve të fundit, të cilat ia kanë ngushtuar goxha shumë hapësirën manovruese në përgatitje të kapitullit konkludues të dialogut me Kosovën.

Së pari, i ashtuquajturi ‘dialogu i brendshëm’ në Serbi, të cilin e inicoi vet Presidenti i Serbisë, mori kahjen në masë të madhe të padëshiruar për Vuçiqin. Ai nuk prodhoi të thuash asnjë ide të re. Për më shumë, u ri-kthyen në skenën politike dhe mediatike qëndrimet të cilat preferojnë mbajtjen e Status Quo-së së tanishme në Kosovë (apo, siç po kualifikohet shpesh të ‘konfliktit të ngrirë’, megjithëse Veriu i Kosovës më nuk është i tillë), deri në ndryshimin e situatës gjeo-politike, e cila do të ishte në favor të Serbisë. Realisht, tani Vuçiq, me fajin e vet, e ka më vështirë të bëjë Marrëveshjen me palën kosovare se sa një vit më parë.

Së dyti, Vuçiq nuk ka gjetur askund në kryeqendrat kryesore perëndimore, dhe këtu veçmas kanë rëndësi Washingtoni dhe Berlini, përkrahje për opsionin e tij të preferuar të shkëmbimit të territoreve, ku Serbia do ta merrte Veriun e Kosovës (apo, territorin aktual të katër komunave të banuara me shumicën serbe), dhe në këmbim, do t’ia ofronte Kosovës një pjesë të Luginës së Preshevës.

Për këtë shkak, Vuçiq tani është i detyruar që pozicionin e tij negociator ta definojë me fjalinë që po e përsëritë shpesh, sipas të të cilës, ‘nuk mundet një palë t’i humbë të gjitha (Serbia), e tjetra t’i fitojë të gjitha (Kosova)’.

Sidoqoftë, fuqia e jashtëzakonshme organizative e tij, si President i Serbisë, përcillet me një pafuqi reale negociatore, e cila me gjasë, do të vie në shprehje nëse së shpejti do të ketë bisedime të mirëfillta në mes të autoriteteve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit.

Sa i përket pozitës aktuale të Kosovës, këtu, vlerat aktuale e dëftojnë të kundërtën, në krahasim me gjendjen në Serbi.

Kosova realisht ka një potencial serioz negociator, i cili do të mund të përkthehej në një Marrëveshje ligjësisht obligative që do të ishte e dobishme për Kosovën. Në dy rastet e kaluara kur përfaqësuesit e Kosovës kanë biseduar dhe negociuar me përfaqësuesit e Serbisë, apo, në Konferencën e Rambouilletit (1999) dhe në Procesin e Vjenës (2006-2007), bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Perëndimit, si dhe mungesa e plotë e vullnetit politik të Serbisë për Marrëveshje, kanë rezultuar me rrethanat politike, diplomatike dhe ushtarake që u konkluduan me çlirimin e Kosovës dhe me pavarësimin e saj. Kësaj radhe, Serbisë i ngutet më shumë se Kosovës. Kësaj here, Serbia është gjithsesi e interesuar për ta bërë Marrëveshjen me Kosovën, sepse ajo e ka fuqinë e një lejekalimi (passwordi), që për te, për Serbinë pra, hapë dyertë e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, realiteti i shtetit të Kosovës, dhe këtë e di fare mirë edhe udhëheqësia e sotme e Serbisë, është i pakthyeshëm. Natyrisht, Presidenti i Serbisë Vuçiq do të përpiqet që ta mbajë gjallë praninë e shtetit të tij në Kosovë, më së shumti përmes krijimit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe sipas masës dhe ambicjeve të Beogradit. Megjithatë, pala kosovare në çdo variant e di mirë se për çka bëhet fjalë, dhe cila është hapësira eventuale negociatore.

Sidoqoftë, në rastin e Kosovës, potenciali evident negociator, është aktualisht në shpërputhje me fuqinë organizative të Prishtinës zyrtare për bisedimet e ardhshme. Megjithëse ekziston në parim një vullnet i përbashkët për ri-krijimin e unitetit negociator sipas modelit të Ekipit të Unitetit, që krijua nga Presidenti i ndjerë Dr.Ibrahim Rugova, dhe u udhëhoq pastaj nga trashëgimtari i tij, Fatmir Sejdiu, në skenën politike kosovare ende ky vullnet parimor nuk po përkthehet në një Marrëveshje politike për organizimin e ri të këtij Delegacioni. Objektivisht, politika kosovare ka edhe fare pak kohë, që matet me dy javë më së shumti, për ta bërë realitet formal këtë vullnet që ende mbetet i padefinuar.

Më në fund, kur bëhet fjalë për Zyren e Përfaqësueses së Lartë, Zonjës Mogherini, e cila luan rolin e lehtësusesit në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, si qëndrojnë punët tani, kjo Zyre as nuk ka fuqi organizative dhe as nuk ka potencial negociator për t’i prirë kapitullit final të këtij dialogu. Për më shumë, duket që Mogherini dhe bashkëpunëtorët e saj, as që kanë pretendime për një organizim më të mirë dhe për një Plan të zhvillimit të këtyre negociatave, duke shpresuar që objektivisht, te dy palët do të kenë interes vetë të konkludojnë me sukses fazën konkluduese të këtyre bisedimeve.

Takimi i fundit i përfaqësuesve të Quintit në Washington, i mbajtur para disa javëve, në masë të madhe ishte reflektim i këtyre dy veçorive të munguara të Zyres së Mogherinit.

S’do mend që angazhimi i mëtejmë i pesëshes së madhe do të jetë i domosdoshëm për t’i shkruar deri në fund këtyre bisedimeve, apo, për t’i rrumbullakësuar ato me Marrëveshjen ligjësisht obligative.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme