Treni serb dhe investimi i Ramës për ta fabrikuar Vuçiçin si faktor stabiliteti

Autor: Fatmir Mediu

Ato që po ndodhin në Kosovë nuk janë të rastësishme. Kërkesa për arrestimin e Ramush Haradinajt ka për qëllim delegjitimimin e luftës së UÇK dhe pavarësisë së Kosovës.

Treni i nisur drejt Kosovës nuk është kapriço e disa individëve në Beograd, por skenar i cili kalon kufijtë e Kosovës me qëllime të qarta gjeopolitike të Rusisë në Ballkan, ku Serbia është aleati i tyre. Mos të harrojmë ndërhyrjen e hapur të Rusisë në zgjedhjet në Malin e Zi, deri në skenarin e eleminimit fizik të Gjukanoviçit.

Sot Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov deklaron: “Shqiptarët nuk duhet të jenë prezentë në zonat e banuara me serbë”.

Po ta analizojmë këtë deklaratë, tashmë Rusia stimulon një konflikt të ri në Kosovë nëpërmjet përcaktimit të raporteve të reja etnike dhe kufi të rinj. Ideja e Rusisë për të krijuar një “buffer zone” në Ballkan me Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë është një skenar tashmë i mirëmenduar për t’iu kundërvënë NATO-s dhe vendeve anëtare të saj. Po ashtu, tendenca për rikonsoderimin e Bosnjës, shton faktorët e një kërcënimi real në Kosovë dhe Ballkan.

Ndërkohë, Rama, për interesa personale, pushteti politik dhe ekonomik, i ka dhënë mundësi Vuçiçit dhe Serbisë që të shfaqet si faktor stabiliteti në Ballkan, duke marrë përsipër një marrëdhënie të shkëlqyer mes dy miqve kryeministër, dy vendeve dhe dy popujve shqiptarë dhe serbë.

Faktori politik shqiptar në rajon, i cili para disa vitesh ishte në marrëdhënie të jashtëzakonshme për zhvillimet në Ballkan, faktor real europian dhe stabiliteti në rajon, sot është në gjendjen më të mjerueshme.

Serbia ka bërë përpjekje pa fund në çdo kohë të që të përfshijë në diskutimin për Kosovën, pikërisht Tiranën (pa peshë diplomatike dhe gjeopolitike apo ushtarke), duke kërkuar të shmangë angazhimin e BE dhe në veçanti të SHBA.

Kjo politikë e Ramës, në kundërshtim me të gjithë politikën e Shqipërisë gjatë këtyre viteve (e cila ka diskutuar çdo qëndrim me SHBA dhe BE), i ka dhënë avantazhe Serbisë dhe njëkohesisht gjallërim të Rusisë në skenarë për të zgjeruar konfliktin dhe interesat e saj gjeo-politike ne rajon
Kjo ndihmohet nga nje politikë e çartur e shqiptarëve kudo që janë:

Qeveri korruptive, konfliktuale e primitive në Tiranë;  çështja kombëtare e zëvendësuar me aventura për interesa personale e klanore, që i japin frymë klaneve antishqiptare; politika e Kosovës e përçarë me autoritete të dyzuara ne qeverisje dhe konflikte pa fund; Maqedoni, parti politike pa fund për një çështje të vetme; shumë komandantë – pak deputetë.

Prishtina dhe Tirana nuk mund të mjaftohen me deklarata për ndalimin e trenit si tregues “force”, por të vendosin qendrime të prera në raport me Serbinë dhe Shqipëria e Rama që s’kuptuan njëherë që janë vend anëtar i NATO-s, të fillojnë të diskutojnë intensivisht për këtë çështje si një cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë në rajon.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme