E mërkurë, 19 Tetor 2016 – Sakte.net
Shkruar nga: Agron Halitaj
Kryeministri Isa Mustafa, sikur të ishte këshilluar mirë, nuk do t’i lutej tash Gjykatës Kushtetuese që t’i përshpejtoj procedurat për shqyrtimin e lëndës për Trepçën të pranuar nga Lista Serbe, apo që të marr ndonjë vendim tjetër që e shpëton këtë ndërmarrje nga rrëshqitja në likuidim.
Atij është dashur t’i tregohet se nga momenti kur Ligji për Trepçën ka përfunduar në Kushtetuese, Qeverisë s’i ka mbetur tjetër pos që t’u përgjigjet kërkesave që mund t’i drejtohen nga Gjykata.
Shefit të ekzekutivit është dashur po ashtu t’i tregohet se Gjykata
Kushtetuese nuk i merr në shqyrtim lutjet, por ajo e trajton vetëm objektin e lëndës së pranuar nga pala iniciuese- përkatësisht (mos)përputhshmërin e ligjit me Kushtetutën.
Para së gjithash, kryeministrit është dashur t’ia thotë dikush troç se nuk ka pse i bënë “presion” Kushtetueses, kur është dashur vet të ngutet e të mos i pres minutat e fundit për ta dërguar Projektligjin për Trepçën për miratim në Kuvend, pasi prej vitit të kaluar e ka pas të paracaktuar afatin përfundimtar për kryerjen e obligimeve rreth kësaj ndërmarrjeje.
Pavarësisht interesit për ta ruajtur Trepçën, Qeveria, aktualisht nuk ka asnjë bazë ku mund ta mbështes kërkesën/lutjen që Gjykata Kushtetuese të vendos masë të përkohshme të vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, vendim ky që parasheh shkuarjen e Trepçës në likuidim nga data 2 nëntor.
Kjo Dhomë ia ka dhënë njëherë shansin duke e shtyrë për hiq më pak se 20 muaj vendimin e saj i cili e parashihte 2 shkurtin e vitit 2015, si datë kur “Trepça” duhej të futej në proces të likuidimit. Pra, afro dy vjet i ka pas në dispozicion Qeveria për ta bërë planin për riorganizimin e ndërmarrjes.
Ç’është e vërteta, komisioni që është ngarkuar për ta bërë këtë plan e ka kryer punën e vet muaj më parë, por vetëm kryeministri mund ta dijë më së miri pse e ka mbajtur dokumentin në sirtar. Atë që është dashur ta kryej sa më shpejt, Mustafa e ka kryer me “urgjencë” tek në momentin e fundit, pra me 10 tetor, pa e llogaritur se dikush nga deputetët mund ta kontestoj përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën.
Kryeministri e ka ditur se deri me së largu deri më 1 nëntor, Ligji do duhej të ishte i shpallur në Gazetën Zyrtare. Si ekonomist që është, është dashur të llogarisë edhe afatet procedurale nga momenti i miratimit të një ligji e deri në hyrjen në fuqi të tij. Ai tash vetëm mund të lutet në vete që gjërat të ecin në favor të Trepçës dhe me 2 nëntor Gjykata Supreme të mos i bllokoj xhirollogaritë e gjigantit metalurgjik. Gjykatës Kushtetuese, s’ka pse i bënë “presion”.