Liderët e vendit kanë ndryshuar qëndrim rreth Gjykatës Speciale, ata kanë deklaruar haptazi se zhbërja e Speciales nuk mund të ndodhë. Por pavarësisht tërheqjes së liderëve nga kjo nismë, PDK është e vendosur se kjo gjykatë duhet të shfuqizohet.
Deputeti i cili ka mbështetur nismën për ndryshimin e ligjit të kësaj Gjykatë, Nezir Çoçaj, në një deklaratë të dhënë “Gazeta Blic”, pohoi se tërheqja e liderëve rreth kësaj nisme nuk ka ndikim të PDK, dhe ata do të vendosin së bashku si parti.
“Ne jemi parti edhe vendosim vetë, dhe jo çka mund të deklarojnë liderët e institucioneve, presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj, ne vendosim si parti”, ka deklaruar ai.
I pyetur rreth asaj se a ka ndonjë tërheqje nga kjo nismë nga ana e deputetëve të PDK-së, Çoçaj tha se deri tash nuk ka asnjë.
“Deri tash nuk ka ndodhë asnjë tërheqje”, përfundoi ai.
Ndërsa, gjatë ditës se djeshme presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka deklasuar se shfuqizimi i Speciales nuk mund të ndodhë.
Ai ka shpjeguar pse në vitin 2015 kishte qenë aq pro krijimit të Gjykatës Speciale, që tani e konsideron padrejtësi historike që i është bërë Kosovës.
Thaçi ka thënë se mundësia e krijimit të një gjykate përmes sponsorizimit të Rusisë në OKB dhe vendeve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë shtyrë atë të jetë pro krijimit të Gjykatës Speciale.
Si përfundim, Thaçi për herë të parë së fundmi tha se Gjykata Speciale nuk mund dhe nuk do të shfuqizohet./GazetaBlic./