Takimet mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ende janë duke vazhduar, me qëllim të arritjes së koalicionit mes tyre.
Ani pse kanë kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ende këto dy parti nuk kanë arritur që të dakordohen se si do të duket qeveria e ardhshme, shkruan Gazeta Blic.
Pavarësisht që ata janë pajtuar për çështjet programore dhe prioritetet e qeverisë në ardhje, peng i vazhdon të mbetet ndarja e posteve.
LDK ani pse doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, i ka vënë kusht VV-së , që t’a merr postin e presidentit, gjë e cila është kundërshtuar nga Lëvizja e Kurtit.
Gazeta Blic ka kontaktuar me një zyrtar të lartë të VV-së, i cili në kushte anonimiteti, ka shpalosur tri opsionet, se si mund të duket marrëveshja eventuale mes tyre dhe LDK-së.
Sipas tij, opsioni i parë është kompromisi i VV-së, që kësaj partie t’i takojë posti i kryeministrit dhe pesë ministri, kundrejt LDK-së që do t’i takonte ai i kryetarit të Kuvendit dhe po ashtu partia e Mustafës, do t’i merrte pesë ministri.
“Kompromisi 1 i LVVsë: Ndarja LVV (Kryeministrin + 5 ministri) me LDK (Kryeparlamentarin + 5 ministri) është me shumë se fer, duke qenë se LVV është fituese e zgjedhjeve dhe Kryeparlamentari i takon LVV-së me Kushtetute”, ka thënë ky zyrtar në kushte anonimiteti.
Ai ka folur edhe për kërkesën e LDK-së, që ta ketë Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), të cilën sipas tij, partia e Mustafës nuk e meriton, “për shkak që e ka drejtuar pa rezultate edhe më parë këtë ministri”.
Kështu që, ai ka thënë se kompromisi numër dy i VV-së, është që të jetë tri ministritë, me të cilat ka garuar në zgjedhjet e fundit. Ato janë Ministria e Punëve të Brendshme, atë të Drejtësisë dhe të Financave.
“Kompromisi 2 i LVV-së: Për ministri LDK ka insistu me zgjedhë e para dhe ka zgjedhë Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB). LVV ka garuar mbi bazën se njëra nga 3 ministritë që gjithsesi mëton ti ketë është MPB, bashkë me atë të financave si dhe të drejtësisë. Një ndër kompetencat e MPB është edhe mbikqyrja e Policisë së Kosovës, e cila ndër të tjera ka për detyrë që të “parandaloj dhe t’i zbulojë veprat penale dhe kryesit e tyre” dhe “të hetoj veprat penale dhe kryesit e tyre”. LDK ka pasur MPB në të kaluarën dhe nuk ka ndonjë të arritur apo sukses që ia vlen të theksohet. Shtrohet pyetja pse ky vendim i LDK-se për ta zgjedhur pikërisht MPB?!”, ka shtuar ai.
Ai ka folur edhe për kërkesën e LDK-së për ta pasur postin e presidentit, duke treguar edhe kompetencat që i mban ky institucion, që aktualisht udhëhiqet nga Hashim Thaç.
“Kompromisi 3 i LVV-se: LDK gjithashtu po insiston në pozitën e Presidentit (që do t’i kalonte rreth prillit 2021). Kompetencat e Presidentit janë, në mes tjerash, emërimi dhe shkarkimi i Kryetarit të Gjykatës Supreme, gjyqtarëve, Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorëve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, etj”.
Ky zyrtar i VV-së ka folur edhe për zgjidhjet që duhet të prodhohen nga negociatat me LDK-në, në mënyrë që të formohet qeveria e re.
Ai thotë se në marrëveshje përveç që duhet të përfshihet konsensusi për kandidatin për president, duhet të merren vesh edhe për të gjitha emërimet dhe shkarkimet që i takojmë presidentit.
Shton se Ministria e Punëve të Brendshme, duhet t’i takojë VV-së, qysh në fillim, teksa shton se mbajtja e kësaj ministrie nga ana e LDK-së, mund të kuptohet si veprim shantazhues.
“ZGJIDHJA: 1. Marrëveshja LVV-LDK për Qeverinë Kurti duhet të siguroj që do të ketë konsensus midis liderëve të LVV-së dhe LDK-së për kandidatin për President të vendit dhe për të gjitha emërimet dhe shkarkimet që i takojnë Presidentit.
2. MPB duhet qysh tash në fillim t’i kalojë LVV-së. Përndryshe mbajtja e MPB nga LDK kuptohet si veprim shantazhues, mos-besues dhe mbi të gjitha jo-efektiv. Shantazhues dhe mos-besues për të siguruar se LVV i përmbahet marrëveshjes për votimin e Presidentit, dhe jo efektiv duke qenë se ministri i supozuar i LDK-së do të duhej të ndrrohej nga ministri i LVV-se vetem pas 1.5 viteve në punë. Kjo do të konsiderohej edhe si papërfillje apo keqmenaxhim i parasë publike”, ka përfunduar ai.
E lidhur me këtë temë, Gazeta Blic, merr vesh që të enjten do të ndodhë takimi i radhës mes Kurtit dhe Mustafës, ku pritet të arrihet një përafrim i qëndrimeve nga ana e dy partive politike.
Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, arriti që të dalë partia e parë, duke arritur kështu që t’i merr 26.27 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 24.54 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 21.23 për qind, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka fituar 11.51 për qind, Lista Serbe ka fituar 6.40 për qind dhe koalicioni i Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë ka fituar 5 për qind.
Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28 vende, Partia Demokratike 24 vende, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb.