Presidenti Donald Trump do të mbajë të martën fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit, gjatë një sesioni të përbashkët të dy dhomave të Kongresit.
Ligjvënësit dhe një audiencë televizive në mbarë botën presin të dëgjojnë prioritetet e politikës së brendshme dhe të jashtme për vitin 2018. Presidenti Trump synon të marrë mbështetje publike pas një viti të parë të debatueshëm në detyrë, gjatë të cilit arriti një fitore me uljen e taksave, por pati edhe shumë shpërqëndrime dhe debate që kanë sjellë nivelin më të ulët historikisht të miratimit të një presidenti të ri.
Është një ritual i demokracisë amerikane, një fjalim presidencial në Kongres që ka substancë, por edhe madhështi.
Presidenti Trump foli vitin e kaluar gjatë një sesioni të përbashkët të Kongresit, por nuk u konsiderua si një fjalim për gjendjen e vendit pasi ai kishte qenë në detyrë për vetëm pak javë.
“Jam sot këtu për të dhënë një mesazh uniteti dhe fuqie, një mesazh që vjen nga thellësia e zemrës time”, tha Presidenti Trump.
Këtë vit, Presidenti Trump pritet të theksojë ekonominë e fortë amerikane, raporton Zëri i Amerikës.
“Do të thoja se vendi ynë po ecën shumë mirë. Ekonomia është ndoshta më mirë se ndonjëherë. Shikoni shifrat e punësimit, investimet që vijnë nga vende të tjera, bursën që është në nivelin më të lartë”, është shprehur Presidenti Trump.
Megjithatë, rritja ekonomike nuk ka mjaftuar deri më tani për të rritur nivelin e miratimit të publikut për Presidentin Trump.
Demokratët ankohen se ai nuk i bën të qarta prioritetet e tij.
“Udhëheqësit republikanë nuk duan të lëvizin vetë. I frikësohen Presidentit Trump. Duan të dinë se çfarë do të bëjë, por ai nuk u thotë asgjë. Dhe kështu paralizohemi”, shprehet Senatori demokrat Chuck Schumer.
Fjalimi do të jetë një shans për presidentin që të rrisë mbështetjen e publikut, thotë republikani Morton Blackwell:
“Kam besim se anketimet do të ndryshojnë dhe se popullariteti i Presidentit do të rritet”.
Megjithatë, Presidenti Trump përballet me një vend të ndarë, thotë demokrati Jim Kessler:
“Këto fjalime të japin mundësinë për t’iu riparaqitur votuesve. Por, shumë votues e kanë mbledhur mendjen”.
Hetimi për Rusinë do të jetë një sfond kryesor, në veçanti njoftimet se Presidenti urdhëroi shkarkimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller vitin e kaluar dhe u tërhoq vetëm pasi këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi se do të largohej.
Hetimi do të jetë një temë edhe për zgjedhjet e këtij viti në Kongres, thotë analisti John Hudak:
“Hetimi i Prokurorit Mueller është një re që qëndron vazhdimisht mbi kokën e administratës dhe që do të ndikojë tek këndvështrimi i votuesve për Partinë Republikane”.
Krahas ekonomisë, tregtisë dhe emigracionit, Presidenti Trump pritet të trajtojë sfidat e politikës së jashtme, ndër to Korenë e Veriut, Iranin dhe Afganistanin.