16/08/2016 Sakt.net ora 13:03
Kandidati republikan për president, Donald Trump ka deklaruar se nëse zgjidhet do të ngrejë një mekanizëm “verifikimi ekstrem” për emigrantët.
Në një fjalim të mbajtur në Ohajo, kandidati publikoi planet e tij për të luftuar ekstremizmin islamik, duke e vënë theksin tek një test i ri skanimi për të ardhurit në Shtetet e Bashkuara.
Konkretisht, aplikantët do të testohen për të përcaktuar nëse ndajnë të njëjtat vlera liberale perëndimore sa i takon tolerancës fetare dhe LGBT-së.
Rivalja demokrate e Trump, Hillary Clinton e kritikoi me përçmim planin e miliarderit, duke e etiketuar si një “dredhi cinike”.
“Kjo e ashtuquajtur “politikë” nuk mund të merret seriozisht. Si ka fytyrë Trump të dalë me një propozim të tillë kur ai vetë kundërshton barazinë martesore, ndërsa bashkëpunëtori i tij Mike Pence firmosi ligjin anti-LGBT në Indiana?”, u shpreh Clinton.
Sipas planit të zotit Trump, emigrantët nga vende me histori terrori do të largohen, por ende nuk dihet se cilat janë këto vende. Në fjalimin e tij, ai nuk foli për strategjinë që do të ndjekë për të mposhtur Shtetin Islamik.
/ Top Channel