Trumpomania pushton Rusinë

Emri “Rruga pazot”, trashëgimi politike e kohës së persekutimit sovjetik që i bëhej fesë, nuk tingëllonte si duhej për disa banorë të qytetit të vjetër rus, Ryazan. Andaj historiani dhe publicisti, Sergei Bizyukin, doli me propozim për një emër të ri.

Pse të mos ia linin emrin “Rruga Donald Trump”, propozoi bujshëm ai, shkruan sot “Koha Ditore”. Këtë e kishte nxjerrë nga goja në lagje, disa ditë para se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale amerikane, që për habi të shumëkujt e nxorën fitues Donald Trumpin.

Peticioni online i Bizyukinit – motoja e të cilit ishte “Le t’ia kthejmë madhështinë Ryazinit”, një imitim lokal i sloganit të Trumpit në fushatën amerikane – mori pothuajse treqind vota për.

Shaka “serioze”

“Shumëkush e merrte për shaka dhe e nënshkroi duke menduar se ishte diçka sa për humor, disa mendonin se kështu mund të ndihmohej normalizimi i marrëdhënieve politike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, dhe kishte prej atyre që mendonin se emri ‘Rruga pazot’ nuk shkonte”, deklaron Bizyukin në një rrëfim të gjatë të “Al-Jazeeras” për qasjen e rusëve ndaj presidentit të ri amerikan.

Peticioni gjeneroi debat nëpër mediat lokale ruse, të cilat po raportojnë për trumpomaninë, trend i pashembullt në Rusi, ku antiamerikanizmi për dekada me radhë ka qenë pjesë e ADN-së politike ruse..