Petrit Çakrri është një nga personat e arrestuar si autor i dyshuar për vrasjen e Renis Dobrës, 22-vjeçarit që u mbyt me litar dhe u hodh në liqenin e Shkopetit më 8 korrik. Sipas burimeve nga policia, Çakrri u kap në Lekbibaj të Tropojës, ndërsa një tjetër i dyshuar, Fatjon Bushgjoka, u arrestua në Tiranë.
Të arrestuarit janë transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj. Katër personat – Petrit Çakrri dhe tre vëllezërit Bushgjoka – dyshohen si autorët e këtij krimi të rëndë.
Sipas të dhënave paraprake, Renis Dobra ndodhej rreth 5 minuta larg banesës kur u rrëmbye nga autorët. Pasi e dhunuan, e mbytën me litar dhe trupin e pajetë, bashkë me makinën që po drejtonte, e hodhën drejt liqenit të Shkopetit. Dyshohet se trupi i të riut ka dalë nga makina gjatë rrokullisjes. Ai u gjet mëngjesin e 9 korrikut nga familjarët gjatë kërkimeve.
Kush është Petrit Çakrri
Emisioni “Shënjestër” ka zbardhur detaje nga e kaluara e Petrit Çakrrit, i cili rezulton të ketë qenë dëshmitar okular në vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, më 12 shtator 1998.
Pas daljes nga burgu disa muaj më parë, ai dyshohet se ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha. Sipas hetimeve, Çakrri kishte marrë me qira në Rinas dy automjete – një “Range Rover” të zi dhe një “Honday” të bardhë – që dyshohet se janë përdorur në kryerjen e krimit.
Në të kaluarën, Çakrri ka qenë i përfshirë në disa çështje penale. Në vitin 2017, ai u arrestua për mashtrim me pasoja të rënda, pasi kishte përvetësuar 4.4 milionë lekë nga një biznesmen në Vorë, duke u paraqitur si tregtar që siguronte mallra me çmime të favorshme.
Çakrri u identifikua si i përfshirë në këtë vrasje përmes kamerave të sigurisë përgjatë aksit Burrel-Tiranë dhe GPS-it të makinës që kishte marrë me qira. Pas dorëzimit të automjeteve të përdorura në krim, ai dhe bashkëpunëtorët dyshohet se kanë marrë sërish makina me qira për të shmangur gjurmët.
Lëvizjet e tij përputhen me trajektoren e Renis Dobrës, sipas të dhënave të GPS-it. Gjithashtu, policia ka ndaluar nipin e Çakrrit dhe i ka sekuestruar celularin, ku besohet se janë gjetur prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.



