Vdekja e 35 vjeçarit grek Konstandinos Kaçifa nuk do të përfundojë kollaj, të paktën për palën greke e cila ka nisur lëvizjet përmes Ministrisë së Jashtme e cila drejtohet nga Kryeministri Alexis Tsipras.
E përditshmja “Kathimerini” shkruan se këtë pasdite pritet që Ministria e Jashtme greke të thërrasë Ambasadoren shqiptare në Athinë Ardian Hobdari, për t’i dorëzuar një notë proteste Shqipërisë.
Dita e djeshme ka qenë po ashtu e tensionuar mes palës shqiptare e greke, respektivisht në deklaratat e tyre zyrtare. Këtë të hënë situata vijon të jetë e tensionuar pasi në Bularat familjarët e 35 vjeçarit kërkojnë që trupit të tij ti bëhet një autopsi e plotë në Greqi për të gjetur shkakun e vdekjes. Akuzat për policinë e shtetit nuk kanë qenë të pakta, por deri më ani një sërë mediash në Greqi kanë raportuar lajmin se vrasja e 35 vjeçarit nuk erdhi për shkak se policia ka ulur flamurin grek, ashtu siç edhe u fol ditën e djeshme në mbarë Greqinë.
Ndërkohë në fshatin Bularat kanë shkuar një sërë eksponentësh, përfshi këtu edhe Vangjel Dulen e PBDNJ-së, i cili u shpreh se duhet gjakftohtësi dhe se njëkohësisht duhet zbuluar sesi u dha urdhëri për të vrarë një njeri.
Nga ana tjetër në Greqi, autoritet sipas raportimeve të mediave lokale janë të shqetësuara për përplasje të mundshme civile apo në burgje. Frika më shumë qëndron në faktin se mund të sulmohen bizneset shqiptare, apo personat që qëndrojnë në burgje apo në dhomat e paraburgimit. Kujtojmë gjithashtu se ditën e djeshme në ambasadën shqiptare në Athinë, protestuan për disa orë disa dhjetëra persona, pjesë e partisë ekstremiste “Agimi i Artë”. “Digjini qentë shqiptarë” ishte njëra ndër frazat që u dëgjua për orë të tëra gjatë protestës.
Video e postuar nga media greke Zappit.gr
Situata nuk duket e qetë as në në fshatin ku ndodhi ngjarja. Mbrëmjen e djeshme kur një grup i forcave të policisë ka lëvizur nga fshati, kanë qenë të shumtë ata banorë të cilët duke folur greqisht kanë nisur të shajnë dhe ofendojnë forcat e rendit. Video u postuan këtë të hënë ku dëgjohen të sharat e disa prej banorëve përkundrejt policisë.
Të poshtër! Turp të keni! E vratë djalin! Vafshi në djall”, ishin disa nga fjalët e thëna nga disa prej banorëve.
Së fundmi, situata e acaruar mund edhe të përkeqësojë marrëdhëniet mes dy vendeve, duke sjellë kështu dhe dëmtimin e klimës pozitive që ishte krijuar në lidhje me arritjen e një pakti të shumëpritur midis Shqipërisë dhe Greqisë.



