Turqia bëri provë me sistemin e mbrojtjes ajrore që bleu nga Rusia

Turqia, anëtare e NATO-s, ka bërë provë me sistemin e saj të përparuar të raketave të mbrojtjes ajrore të prodhuar nga Rusia, tha media turke të premten, duke rrezikuar një bllokim të ri me Shtetet e Bashkuara.

Televizioni Haber, që është pranë qeverisë, tha në faqen e tij të internetit se ushtria e Turqisë provoi sistemin rus S-400 të mbrojtjes ajrore ruse në provincën Sinop të Detit të Zi. Ai i bazoi raportet e tij në një video amatore, që njoftohet se është filmuar në Sinop. Media të tjera kishin njoftime të ngjashme.

Zyrtarët ushtarakë dhe të mbrojtjes turke kanë refuzuar të komentojnë mbi raportet.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se nëse raportet janë të sakta, ai “dënon fuqimisht” provën.

“Ne kemi qenë të qartë: një sistem operativ S-400 nuk është në përputhje me angazhimet e Turqisë si një aleat i SHBA-së dhe NATO-s,” tha zëdhënësi i shefit të Pentagonit Jonathan Rath Hoffman. “Ne kundërshtojmë blerjen e sistemit nga Turqia dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga njoftimet se Turqia po e vë atë në veprim.”

Ai tha se sistemi “nuk duhet të aktivizohet”.

“Aktivizimi do të sillte pasoja serioze për marrëdhënien tonë të sigurisë”, tha zëdhënësi, duke shtuar se Turqia tashmë është pezulluar nga programi i avionëve luftarakë amerikanë F-35, “dhe S-400 vazhdon të jetë një pengesë për përparimin në drejtime të tjera në marrëdhëniet dypalëshe “.

Një zyrtar amerikan tha të premten se SHBA beson se Turqia përdori tre raketa në provë – të gjitha goditjet të suksesshme. Zyrtari foli në kushte anonimiteti për të diskutuar informacion që nuk është bërë ende publik, transmeton Voa.

Uashingtoni ka paralajmëruar Ankaranë se rrezikon sanksionet e SHBA nëse sistemi S-400 aktivizohet.

Ankaraja këmbëngul se ajo u detyrua të blinte sistemin rus pasi Uashingtoni refuzoi t’i shesë atij sistemin Patriot të SHBA. Ajo argumenton gjithashtu se është e drejta sovrane e Turqisë për të blerë sistemin që dëshiron.

Rusia i dorëzoi Turqisë sistemin e mbrojtjes vitin e kaluar. Turqia fillimisht kishte thënë se S-400 do të hynte në funksionim në prill, por e shtyu aktivizimin e tij.

Gjatë një vizite në Turqi në fillim të këtij muaji, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg përsëriti se sistemi i prodhuar nga Rusia, i cili thuhet se i ka kushtuar Turqisë 2.5 miliard dollarë, nuk mund të integrohet në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s.

Turqia pritej gjerësisht ta provonte sistemin këtë javë, pasi lëshoi njoftime paralajmëruese që anijet dhe avionët të shmangnin atë zonë në Detin e Zi.

Presidenti amerikan Donald Trump është nën presion nga ligjvënësit për të sanksionuar Turqinë lidhur me marrëveshjen S-400.

Në vitin 2018, Uashingtoni imponoi sanksionet ndaj Turqisë për ndalimin e një pastori amerikan, duke shkaktuar një krizë të rëndë monetare në vend. Sanksionet u hoqën pas lirimit të pastorit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme