Turqia – Hollandës: Bëhuni gati për hakmarrjen tonë

Policia speciale e Holandës në Roterdam e ka shpërndarë një tubim të qindra mbështetësve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, afër Konsullatës së Turqisë në këtë qytet.

Agjencia AFP ka raportuar të dielën se forca të shtuara policore të Holandës, disa të mbështetura me topa uji, kanë filluar me forcë ta shpërndajnë protestën, pas disa orëve të demonstratave paqësore, por nervoze, rreth ndërtesës së konsullatës.

Kjo ndërhyrje policore e mëngjesit edhe më tepër i ka përshkallëzuar tensionet ndërmjet Holandës dhe Turqisë, pasi autoritetet holandeze nuk i lejuan dy ministra të qeverisë së Turqisë që të marrin pjesë në tubimet në mbështetje të referendumit në Turqi, që mbahet më 16 prill, me të cilin synohet rritje e autoriteteve të presidentit Erdogan.

Në Anara, kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha se Turqia do të hakmerret në “mënyrat më të ashpra”.

Për këtë situatë është protestuar në mënyrën më të fuqishme nga ana jonë, dhe u është bërë e qartë autoriteteve të Holandës se do të ketë hakmarrje në mënyrën më të ashpër”, thuhet në kumtesën e kryeministrit Yildirim, dhe shtohet se “ne do të përgjigjemi në mënyrë përkatëse ndaj kësaj sjelljeje të papranueshme”.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se ishte i detyruar t’i parandaloj dy ministra të Turqisë nga bërja e fushatës në Holandë, për shkak se Ankaraja është kërcënuar me sanksione kundër qeverisë së tij.

Ne kurrë nuk mund të bëjmë punë nën shantazhin e këtij lloji”, tha kryeministri Rutte.

Zyrtarët në Holandë, sikur kolegët e tyre në disa qytete kryesore në Evropë, nuk kanë lejuar mbajtje të tubimeve të politikanëve të Turqisë për ta promovuar referendumin në mesin e diasporës turke në Evropë.

Autoritetet në Roterdam e kanë bllokuar ministren e çështjeve familjare turke, Fatma Betul Sayan Kaya, duke mos e lejuar që të arrijë para ndërtesës së konsullatës për të mbajtur fjalim para demonstruesve pro-turq.

Kryetari i qytetit të Roterdamit tha se ministrja ishte përcjellë prapa në Gjermani, prej nga ajo kishte hyrë në Holandë me veturë.

Ministrja Kaya ka arritur në Stamboll, ndërsa trajtimin e saj e ka vlerësuar si “të keq”.

“Ne jemi detyruar të dalim jashtë veturës dhe policia na ka përcjellë në një stacion policie në kufirin e Holandës me Gjermaninë. Ne jemi mbajtur në stacionin e policisë për një orë e gjysmë. I jemi nënshtruar trajtimit të ashpër dhe sjelljes së pahijshme”, tha ministrja Kaya, në një konferencë për gazetarë në Stamboll.

Më parë Qeveria e Holandës nuk ka lejuar as aterrimin e aeroplanit të ministrit të jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, për shkak të “rrezikut për rendin publik dhe sigurinë”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar me zemërim pas këtij veprimi dhe ka shprehur përkushtim për masa të njejta kundër diplomatëve të Holandës, ndërsa autoritetet në këtë vend i ka akuzuar se janë “mbetje të nazistëve” dhe “fashistë”.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, u tha gazetarëve se Erdogani ka bërë “komente të krisura” dhe se “ishte jashtë linjës”.

Ai theksoi se e kupton zemërimin e zyrtarëve të Turqisë dhe se qeveria e Holandës do të “bëjë çdo gjë të mundur për t’i mbajtur raportet me Turqinë sa më të mira të mundshme dhe sa më të fuqishme të mundshme”.

“Por, kuptohet, sot ishte një ditë jo e mirë në marrëdhëniet turko-holandeze”, tha Rutte.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme