Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj shtetasit Ulian Bajrami, e cila lidhet me akuza për kanosje për shkak të detyrës, kundërshtim dhe goditje të gjyqtarit, si dhe kanosje të gjyqtarit. Sipas organit të akuzës, nga hetimi nuk kanë rezultuar baza ligjore për vijimin e ndjekjes penale.
Çështja lidhet me një ngjarje të regjistruar më 17 tetor 2025 në qytetin e Elbasanit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Prokuroria ka vlerësuar se nuk plotësohen kushtet ligjore për të vijuar procedimin dhe ka kërkuar pushimin e tij.
“Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pushimin e çështjes për procedimin penal nr. 7882, të regjistruar për veprat penale ‘Kanosje për shkak të detyrës’, ‘kundërshtim dhe goditje të gjyqtarit’ dhe ‘kanosje të gjyqtarit’, ndaj shtetasit Ulian Bajrami, për ngjarjen e ndodhur më 17.10.2025 në Elbasan”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Çfarë ndodhi?
Në tetor të vitit të kaluar, gjatë një seance gjyqësore në Elbasan, u regjistrua një përplasje mes avokatit Ulian Bajrami dhe prokurorit Gjergji Ceka.
Në një audio-regjistrim të publikuar asokohe, dëgjohet avokati që pretendon se provat ndaj klientit të tij janë të rreme dhe deklaron se do të merrej personalisht me prokurorin, duke paralajmëruar ngritjen e një kallëzimi.
Në vijim, gjyqtarja e çështjes, Megi Strakosha, i tërhoqi vëmendjen avokatit për gjuhën e përdorur në sallën e gjyqit, duke e paralajmëruar se, nëse do të vijonte me të njëjtën retorikë, do të përjashtohej nga seanca dhe klientit do t’i caktohej një avokat kryesisht.
Avokati: Kërkesa e prokurorit për caktim mase dhe vlerësim arresti bazohet në disa prova, një ndër to tregon se ka pasqyrim të rremë të të dhënave
Do merrem personalisht me prokurorin edhe me oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim
Prokurori: Do arrestohet ai
Gjyqtarja: Hera e fundit, nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit, nuk ka rëndësi çfarë bëni jashtë kësaj salle, ky lloj komunikimi në sallë me mua gjyqtare nuk lejohet, përqendrohu tek mbrojtja ose të nxjerr përjashta dhe caktoj një avokat kryesisht. Paralajmërimi i fundit.



