Është zbardhur autopsia e kryer ndaj shqiptarit Bledar Dedja, 39-vjeç, i cili u gjet pak ditë më parë i masakruar me thikë në një zonë të pyllëzuar në Itali.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, në autopsi ka rezultuar që për shqiptarin ka qenë fatale goditja që ka marrë pas shpine, e cila dhe i ka shpuar mushkërinë.
Sipas autopsisë, ai është goditur më shumë se 20 herë me thikë, por shkaku i vdekjes u identifikua si një goditje e vetme fatale në shpinë, mjaft e fuqishme për të shkaktuar gjakderdhje të brendshme në gjoks.
Hipoteza e një grabitjeje është përjashtuar, pasi 39-vjeçarit i gjetën portofolin dhe celularin brenda makinës, 100 metra larg trupit.
Dhe pikërisht në celular autoritetet po kërkojnë të dhëna për një lidhje të mundshme jashtëmartesore që mund t’i kishin kushtuar jetën Dedjës.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit të 39-vjeçarit përmes mesazheve dhe telefonatave , për të gjurmuar personin (ose personat) me të cilët ai duhej të takohej pasditen e së shtunës.