Paraditën e së premtes zyrtarisht është hapur pika e re kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, shkruan gazeta LAJM. Vendkalimin e ri kufitar Bellanoc – Stançiç e hapi kryeministri Oliver Spasovski, i cili i pari e kaloi kufirin dhe u uroi fat të gjithëve. Ai shfaqi shpresë se vendkalimi i ri do të sjellë bashkëpunim edhe më të gjerë midis dy vendeve.
“Republika e Maqedonisë së Veriut kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme. Projektet sikur ky i sotmi vetëmse thellojnë edhe më shumë këtë bashkëpunim. Përmirësojmë infrastrukturën mes dy vendeve tona, siç është autostrada Shkup-Bllacë. Në kemi raporte të shkëlqyeshme dhe nuk kemi asnjë çështje të hapur”, tha Spasovski.
Në përurimin e vendkalimit kufitar Kosovë -Maqedoni kanë marrë pjesë zyrtarë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
I kënaqur për hapjen e pikës kufitare Bellanoc-Stançiq është shprehur edhe zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj. Hoxhaj ka thënë se është i lumtur që më në fund pas shumë vitesh ngecje, u hap pika kufitare Stanqiq-Bellanoc.
“Kjo pikë kufitare do t’i përafrojë edhe më shumë shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe do t’i fuqizojë edhe më shumë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”. Gjithashtu, jam i bindur se do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të të dy zonave kufitare të dy komunave, Gjilanit dhe Likovës. Hapja e kësaj pike kufitare të përbashkët ishte ëndërr e qytetarëve të këtyre komunave kufitare, e cila tani do të mundësojë një lëvizje më të lehtë të banorëve duke e shkurtuar dukshëm rrugën që bëjnë banorët e këtyre zonave dhe do t’u sigurojë atyre mirëqenie e prosperitet ekonomik”, tha Hoxhaj.
Hapja e kësaj pike kufitare mes Maqedonisë së Veritu dhe Kosovës shkurton ndjeshëm distancën mes rajonit të Kumanovës dhe Gjilanit. Vendkalimi kufitar do të jetë i hapur për qarkullimin e lirë të njerëzve, kurse pas 6 muaj do të jetë i hapur edhe për transportin e mallrave.