Mediat greke kanë zbardhur axhendën e Fredi Belerit në Athinë, pasi u lirua përkohësisht nga burgu për t’u betuar si eurodeputet në Parlamentin Evropian.
Në orën 12:30 Fredi Beleri pritet të mbërrijë në Athinë dhe në orën 13:00 do të ketë një takim me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis në Pallatin Maximos.
Fredi Beleri, eurodeputeti i Demokracisë së Re, u largua nga burgjet shqiptare pak para orës 7:30 të mëngjesit për të udhëtuar në Athinë dhe më pas në Strasburg ku më 16 korrik do të bëjë betimin si eurodeputet.
“Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur. Faleminderit për mbështetjen. Të tjerat do ta diskutojmë në Athinë” , tha ai gjatë daljes para gazetarëve.
Kujtojmë gjithashtu se Drejtoria e Burgjeve ka miratuar kërkesën e tij për leje pesëditore pas takimeve të njëpasnjëshme. Fredi Beleri do të ketë kohë deri në orën 16:00 të së shtunës 20 korrik për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.