Ish-zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, ka dalë nga ambientet e SPAK-ut, pasi u mor në pyetje për rreth 1 orë lidhur me çështjen “21 janari”, nga prokurorët e posaçëm.
Kuliçaj, ka mbajtur një prononcim të shkurtër për mediat, duke u shprehur se u ka treguar prokurorëve të gjitha veprimet e ndërmarra nga blutë aso kohe për ngjarjen e rëndë.
Më tej, ish-zv drejtori tha se nuk mund të japë informacion më tepër për shkak të sekretit hetimor.
“Dhashë shpjegimet e mia në lidhje me 21 janarin. Shpjegova të gjitha veprimet e policisë në ditën e ngjarjes. Nuk mund të flas më tepër për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor” tha Kuliçaj pasi doli nga SPAK.
Po kështu, me datë 23 tetor, ka qenë ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili u mor në pyetje nga prokurorët e posaçëm, lidhur po me të njëjtën dosje.
“Dhashë sqarime si person qe ka dijeni për ngjarjet e 21 janarit. Plani i masave është 50 faqe, nuk mund ti komentoj. Policia ka bërë një plan të detajuar masash për 21 janarin dhe ka zbatuar ligjin. Kam zbatuar ligjin. Nuk kemi pasur asnje urdher per te reaguar. Policia ka duruar dhune ekstrem dhe nuk ka perdorur as arme dhe as dhune ndaj protestuesve. Urdherarrestet jane ekzekutuar ”, tha Burgaj për gazetarët pasi doli nga SPAK.
Me datë 15 korrik, SPAK ka proceduar me regjistrimin e çështjes “21 janari”, për veprat penale:
- -“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79, gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
- -“Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
- -“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK.
Kujtojmë që ishte Gjykata e Lartë ajo që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme ta regjistrojë procedimin, pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kallëzimin e ka bërë Rajmonda Nika, bashkëshortja e viktimës Aleks Nika. Ajo së bashku me xhaxhain e viktimës, Mark Nika u paraqitën në ambientet e SPAK më 22 korrik për të dhënë dëshmitë e tyre.
Procedimi ka nisur për vrasjen e Aleks Nikës si dhe plagosjen e shtetasve Arbes Dyberi, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.