U ndërtua, u shemb dhe nuk funksionoi kurrë, tani sërish në tender. 930 mijë € të tjera për unazën e Burrelit

Shpërdorimi i parave publike dhe mungesa e kontrollit mbi cilësinë e punimeve do t’u kushtojnë qytetarëve shqiptarë edhe 930 mijë euro të tjera.

Ndërtimi i Unazës së Poshtme të Burrelit, një segment prej vetëm 960 metrash, kushtoi rreth 1.3 milionë euro. Por vetëm një muaj pas përfundimit të punimeve, rruga pësoi katër shembje të mëdha, duke u bërë e pakalueshme.

Pas dëmtimit të rrugës, Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaroi se do të kryente një ekspertizë të thelluar për të përcaktuar shkaqet dhe zgjidhjen e problemit. Por ndërsa përgjegjësitë për investimin e parë mbeten të paqarta, fatura për buxhetin e shtetit rritet.

Tashmë, për riparimin e Unazës së Poshtme të Burrelit është zhvilluar një tender me fond limit 90.3 milionë lekë, rreth 930 mijë euro. Fitues është shpallur kompania “2N” sh.p.k., me administrator Ndriçim Stojkun, e cila ka ofruar 87 milionë lekë.

Sipas parashikimeve të ekspertëve, ndërhyrja do të përfshijë ndërtimin e pilotave në një gjatësi prej rreth 300 metrash, për forcimin e trasesë së dëmtuar nga rrëshqitjet.
Kështu, kostoja totale e një rruge vetëm 960 metra të gjatë shkon në mbi 2.2 milionë euro.

Ironia është se Unaza e Poshtme e Burrelit u ndërtua për të shmangur kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë përmes qytetit. Por rruga, e cila kushtoi miliona euro, nuk e kreu asnjë ditë këtë funksion.

Ndërsa qytetarët paguajnë edhe 930 mijë euro të tjera për riparimin, duhet një përgjigje për pyetjen: Kush mban përgjegjësi për një investim prej 1.3 milionë eurosh që dështoi vetëm një muaj pas përfundimit?

The post U ndërtua, u shemb dhe nuk funksionoi kurrë, tani sërish në tender. 930 mijë € të tjera për unazën e Burrelit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme