Kanë kaluar thuajse një muaj nga shembja e rrugës së re në pjesën e parë të lotit të dytë të aksit Korçë-Ersek, por ajo që është vënë re së fundmi është se ka sjellë problematika edhe muri mbrojtës në fillim të kësaj rruge.
Një pjesë është shembur dhe një pjesë tjetër është duke u shembur, gjë që çon edhe në rrëshqitjen e dherave.
Kjo situatë krijon pasiguri për drejtuesit e mjeteve që përshkojnë këtë aks. Kalimi në të cilin është shumë i rrezikshëm. Pasiguria shtohet pasi siç thonë banorët pavarësisht situatën nuk ka asnjë reagim për marrjen e masave.
“Shumë e rrezikshme është, sepse po nesër të kalohet një me familje edhe vetëm. Larg qoftë se ndodh një aksident, ato duhet të marrin masa, t’i riparojnë. Përgjegjësit e mëdhenj, dinë ato gjëra, duhet t’i rregullojnë, mos të ndodhin aksidente” , thotë një prej banorëve.
“Ajo është e rrezikshme, se si do bëjnë ata, ata e dinë. Ata gur janë, varë gurët dhe zënë me tela. Ajo nuk mban do bazament të fortë”, thotë një tjetër banor.