Dy diplomatët iranianë për të cilët është marrë masa e dëbimit nga Shqipëria bëhet me dije sa janë larguar ditën e djeshme.
Pak ditë më parë, autoritetet shqiptare njoftuan se kanë urdhëruar dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve iranianë, të cilët janë shpallur persona të padëshiruar. Vendimi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, në një postim në Facebook.
Sipas tij të dy diplomatët Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, kanë zhvilluar “veprimtari në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, shkruan Cakaj.
Kujtojmë se liderja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi e ka cilësuar vendimin e Shqipërisë për të dëbuar dy diplomatë iranianë si një hap të guximshëm. Përmes një postimi në “Twitter”, kreu i MEK ka shkruar se nëpërmjet këtij vendimi Shqipëria garanton sigurinë e shqiptarëve dhe të refugjatëve iranianë.
“Dëbimi nga qeveria e Shqipërisë e dy diplomatëve të regjimit iranian është një masë e guximshme dhe e admirueshme në luftën kundër terrorizmit dhe sigurimin e sigurisë së njerëzve të Shqipërisë dhe refugjatëve iranianë”, ka shkruar Maryam Rajavi.
Kujtojmë që lajmin për dëbimin e diplomatëve iranianë e bëri të ditur vetë ministri i Jashtëm, Gent Cakaj, i cili tha se Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast janë shpallur persona të padëshirueshëm për shkak të veprimtarisë së tyre.
Kjo është hera e dytë që Shqipëria shpall persona të padëshiruar diplomatë iranianë. Në dhjetor të vitit 2018, ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga vendi pasi dyshoheshin të ishin përfshirë “në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend”.
Në atë kohë, Ministria e Jashtme shqiptare saktësoi se vendimi ishte marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.