Gjykata e Apelit në Larisa të Greqisë ka pezulluar gjykimin ndaj një 42-vjeçari shqiptari i cili akuzohet për vrasjen e një bashkatdhetari të tij në burgun grek.
Vrasja ndodhi më 20 mars të vitit 2015, në burgun e Larisës, kur 42-vjeçari “për arsye nderi dhe hakmarrjeje” ekzekutoi bashkatdhetarin e tij për një vrasje të ndodhur 20 vite më parë. Ai e goditi me thikë për vdekje 47-vjeçarin shqiptar pasi ky i fundi i kishte vrarë dajën e tij 20 vite më parë në Shqipëri. Sipas informacioneve të gazetës “Eleftheria”, 42-vjeçari pasi vrau 47-vjeçarin, më pas plagosi rëndë një tjetër shqiptar, 46-vjeç.
Sipas dosjes së prokurorisë ngjan me skenarët e filmave, teksa ai e kreu vrasjen vetëm tre ditë pasi ishte transferuar në burgun e Larisës. 42-vjeçari e kishte vizituar më parë të burgosurin në qeli për të mbledhur informacion rreth tij dhe më pas zgjodhi zonën më të përshtatshme që nuk kapej as nga kamerat e burgut ku ai e goditi me thikë në zemër.
47-vjeçari humbi ndjenjat nga goditjet e forta dhe ra në shkallët ndërmjet katit përdhes dhe katit të parë duke krijuar një pellg gjaku teksa u zvarrit duke kërkuar ndihmë, por më kot.
Dhjetë minuta më vonë 42 vjeçari shqiptar goditi me thikë një tjetër bashkatdhetar të tij, një 46-vjeçar, teksa ndodhej në korridorin e qelive të paraburgimit të krahut C.
47 vjeçari është gjetur i mbuluar me gjak nga të burgosurit e tjerë të cilët e kanë çuar te gardiani i Krahut të Tretë, ndërsa të burgosurit e tjerë, po shqiptarë kanë transportuar në të njëjtin vend bashkatdhetarin e tyre 46-vjeçar, me lëndime në fytyrë dhe në trup”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë greke.
Të dy u transportuan në spital, por 47 vjeçari nuk mundi t’ia dalë dot ndërsa 46 vjeçari tjetër, shpëtoi edhe pse i plagosur rëndë.
Pas ngjarjes shqiptari u kthye në qelinë e tij me njolla gjaku në rrobat dhe duart e tij, ndërsa vijonte të mbante në dorë thikën me të cilën kreu krimin./GSH



