Një unazë floriri që mendohet se është mbajtur nga një udhëheqës kelt 2000 vjet më parë do të dalë në ankand – pasi kishte kaluar gati tre dekada në dollapin e një koleksionisti, shkroi BBC.
Stolia e epokës së hekurit, e zbuluar në një fushë në Yorkshire në vitin 1994, pritet të arrijë deri në 30,000 funte.
Unaza daton në vitin 100 para erës sonë, dekada para pushtimit romak të Britanisë.
Një prijës i fisit “Corieltauvi” mendohet se e kishte mbajtur atë.
Pasi ishte gjetur, i ishte shitur pronarit aktual për disa qindra funte.
Koleksionisti, një burrë 66-vjeçar, e vendosi në një dollap për 28 vjet përpara se të vendoste ta bënte publik dhe ta shiste.
Unaza vlerësohet tepër e rrallë dhe koleksionisti ka thënë se kur e vlerësoi iu tha se i përkiste dikujt në pozitë të lartë.
“Nuk ka unazë tjetër të këtij stili. Është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka thënë Nigel Mills nga shtëpia e ankandeve “Noonans”.