Komandanti i Forcave amerikane në Afganistan, gjenerali John Nicholson, deklaroi të premten në një konferencë për media se përdorimi i bombës masive kundër ISIS-it ishte bërë me qëllim të eliminimit të pengesave në terren, në mënyrë që të mund të vazhdohet ofensiva e mëtejme.
“Armiku ka krijuar bunkerë, tunele dhe fusha të gjera me mina, dhe kjo armë ishte përdorur për të reduktuar këto pengesa, në mënyrë që ne të vazhdojmë ofensivën tonë”, tha ai.
Sipas zyrtarëve amerikanë, numri i luftëtarëve të ISIS-it në lindje të Afganistanit vlerësohet të jetë ndërmjet 600 deri 800, që paraqet një numër më të vogël në krahasim me 3.000 sa ishte vlerësuar të jenë në atë rajon në vitin 2015, transmeton ABCNews.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore, Ann Stefanek, deklaroi se “nëna e të gjitha bombave” përdoret për të goditur caqe të ambientit siç janë kanione dhe shpella, për të pastruar fushat me mina dhe për efekte psikologjike.
Ushtria amerikane është duke udhëhequr operacione kundër ISIS-it në Afganistan, sidomos në Nangarharin jugor që nga muaji mars. Gjenerali Nicholson thotë se për herë të parë kishin hasur pengesa të gjera në progresin e tyre në fushë.
Ai sqaroi se pengesat, përveç mjeteve shpërthyese, ishin edhe prezenca e tuneleve dhe shpellave, derisa përzgjedhjen e ditës së enjte për të hedhur bombën masive ai e quajti thjesht si moment taktik për të goditur caqet e veçanta.
Gjenerali Nicholson tha se përdorimi i serishëm i bombës masive në të ardhmen do të varet nga situata taktike.
“Ne e përdorim këtë armë për zgjidhje taktike specifike në një problem të veçantë ushtarak dhe kjo përcakton kur dhe se si ne operojmë në fushëbetejë”, ka thënë ai, transmeton Ksp.