Gazetare: Vjollca Aliti
Komuna e Shuto Orizarës është komuna me përqindje më të lartë të fëmijëve të vaksinuar në gjithë Maqedoninë, thonë mjekët. Në kuadër të aktiviteteve të javës Evropiane të imunizimit, ekipe të shtëpisë së shëndetit i dorëzuan ftesa, familjeve të cilët kishin fëmijë të pa vaksinuar. Gjatë ditës së sotme ata vizituan 15 familje të tilla, ndërsa ekipi i ALSAT këtë proces e ndoqi nga afër.
“Shuto Orizara është vendbanimi më i vaksinuar ndoshta në gjithë Maqedoninë, në Shkup sigurisht që është. Niveli i vaksinimit është mbi 90% , nuk kemi refuzim të vaksinës , njerëzit pranojnë dhe vaksinohen. Momentalisht, theksi është në vaksinën MRP, por gjithashtu i kujtojmë për çdo vaksinë të cilën nuk e kanë marr për shkak të arsyeve të ndryshme”, deklaroi Snezhana Zoksimoska, mjeke.
Në javën Evropiane të ndërgjegjësimit për vaksinimin e fëmijëve, mantel bardhët kujtojnë se vaksinimi në vend është detyrim ligjor, ndërsa mos respektimi i kalendarit të imunizimit gjobitet.
“Ligjërisht, për refuzimin e vaksinës paguhet gjobë. Pagesa e gjobës nuk ju mbron që të mos e merrni vaksinën. Do paguani gjobë dhe fëmijën përsëri do ta vaksinoni. Nëse njëherë nuk e vaksinoni, do paguani gjobë përsëri dyfish. Kjo nuk ju liron nga pagesa sepse vaksinimi nuk mbron vetëm fëmijën tuaj, por i mbron ata fëmijë që kanë komplikime dhe që nuk munden ta marrin vaksinën. Ndërsa fëmija i juaj i pa vaksinuar nëse nuk është vaksinuar do ta rrezikojë atë fëmijë i cili nuk mund të pranojë vaksinë. Fëmija juaj mund ta vret atë fëmijë”, tha Snezhana Zoksimoska, mjeke.
Në kuadër të javës Evropiane të imunizimit, më shumë se 30 ekipe mjekësh nga Shtëpitë Shëndetit do të vizitojnë familjet të cilët kanë fëmijë të pa vaksinuar për t’i njoftuar ata me përfitimet e imunizimit. Në kuadër të këtij projekti janë paraparë të vizitohen mbi 2,900 familje në 20 komuna të vendit të cilat rezultojnë me përqindje më të ulët të fëmijëve të vaksinuar. Në kuadër të fushatës, të moshuarit mbi 60 vjeç kanë mundësinë të marrin një vaksinë multivalente kundër Covid-19 si dozë përforcuese. /Alsat.mk