Varre masive në qytetin e çliruar të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është duke lënë mbrapa saj “gjurmë të vdekjes”.

Ai e ka bërë këtë deklaratë pas identifikimit të një varreze masive në qytetin e rikthyer të Izjumit.

Ushtria ukrainase ka nisur ditë më parë një kundërofensivë në rajonin verilindor të Harkivit, duke çliruar një mori vendbanimesh.

“Një varrezë masive e njerëzve është gjetur në Izjum, në rajonin e Harkivit”, ka thënë Zelensky në një adresim para publikut.

“Veprimet e nevojshme procedurale tashmë kanë nisur”.

“Buça, Mariupoli, tani fatkeqësisht Izjumi”, ka thënë Zelensky, duke përmendur edhe qytetet tjera ukrainase ku autoritetet kanë thënë se pas zmbrapsjes së trupave ruse kanë gjetur varreza masive dhe të dhëna për krime lufte.

“Rusia është duke lënë gjithandej vdekje mbrapa saj, dhe ajo duhet të mbahet përgjegjëse”, ka thënë ai.

Zelensky nuk ka dhënë hollësi për numrin e trupave të gjetur, mirëpo ka thënë se informacionet tjera do të bëhen publike më 16 shtator.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë se të paktën 440 trupa të vdekur janë gjetur në këtë varrezë masive në Izjum.

“Varreza masive janë duke u zbuluar në Izjum pas çlirimit të qytetit nga (rusët)”, ka thënë ministria përmes një postimi në Twitter.

Mijëra trupa ushtarake ruse kanë ikur nga Izjumi javën e kaluar, qytet të cilin e kanë pushtuar pak ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Ata e kanë shfrytëzuar qytetin si pikë furnizimi në rajonin e Harkivit.

Forcat ushtarake ruse kanë lënë mbrapa vetes sasi të mëdha të pajisjeve dhe municionit.

Oleh Kotenko, komisionar për persona të zhdukur nën rrethana speciale, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se fillimisht janë gjetur 20-25 trupa.

Ai e ka përshkruar atë që i është dukur si varrezë masive e ushtarëve ukrainas.

Serhiy Bolvinov, shef policor për rajonin e Harkivit ka thënë se “disa njerëz kanë vdekur nga sulmet me artileri, disa kanë vdekur nga sulmet ajrore”.

Raportimet ukrainase nuk janë verifikuar ende.

Rusia nuk ka komentuar këto deklarata, mirëpo vazhdimisht mohon akuzat për sulme ndaj civilëve.

Zelensky ka udhëtuar drejt Izjumit më 14 shtator dhe ka marrë pjesë në një ceremoni të ngritjes lart të flamurit ukrainas.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ka thënë se forcat ukrainase kanë zmbrapsur tri sulme ruse në qytetin e Donjeckut.

Raketat e nisura nga deti kanë shënjestruar edhe rajonet e Odesas, mirëpo ato janë shkatërruar nga sistemet kundër-ajrore, ka thënë ushtria.

Sipas saj, forcat ruse kanë nisur sulme në disa vendbanime në vijën e frontit në Harkiv.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 16 shtator se pas më shumë se gjashtë muajsh luftë, Kremlinit i është shtuar presioni për shkak të numrit të ushtarëve.

Sipas autoriteteve britanike, Rusia është duke angazhuar kompani ushtarake private, siç është Grupi Vagner për të rekrutuar rusë që të luftojnë në Ukrainë.

Inteligjenca britanike ka thënë po ashtu se të dënuarve nëpër burgje po u ofrohet zbutje e dënimit, apo edhe po u ofrohen para.

Ministria britanike ka thënë po ashtu se akademitë ushtarake ruse janë duke zvogëluar kurset e trajnimit dhe duke përshpejtuar procesin e diplomimit të kadetëve.

“Kjo gjë po bëhet me siguri që kadetët të mund të angazhohen për të ndihmuar operacionin në Ukrainë”.

Në frontin diplomatik, Zelensky është takuar më 15 shtator, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zelensky e ka përmendur nevojën e përparimit në bisedime me Ukrainën dhe partnerët për të siguruar sisteme ajrore për mbrojtje.

“Ne tashmë kemi marrëveshje me disa shtete, diplomatët tanë janë duke punuar me të tjerat”, ka thënë ai.

Në orët e vona të 15 shtatorit, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën në vlerë të 600 milionë dollarëve amerikanë, si mbështetje ndaj kundërofensivës së Kievit.

Në një dokument të Shtëpisë së Bardhë, është thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përdorur autoritetin e tij për të autorizuar transferimin e armëve nga stoqet amerikane.

Në ndihmë përfshihen pajisje dhe trajnime.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme