Vazhdojnë ndihmat e organizatave turke për të prekurit nga përmbytjet në Shkup

Organizatat turke po vazhdojnë me ndihmat pas katastrofës së përmbytjeve e cila ndodhi fundjavën e kaluar në Shkup dhe rrethinë dhe e cila mori jetën e 22 personave, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i Turqisë në Shkup Ömür Şölendil dhe Këshilltari i Kryetarit të Kryebashkisë së Stambollit (IBB), njëherit edhe Zv/Kryetari i Hënës së Kuqe Turke, Ismail Hakki Turunç, sot vizituan njërën nga zonat më të prekura nga përmbytjet, lagjen e Hasanbegut.

Ambasadori Şölendil, në deklaratën për gazetarët, tha se që nga çastet e para të përmbytjeve në cilësinë e Republikës së Turqisë kanë zhvilluar bashkëpunimet dhe konsultimet e nevojshme me autoritetet përkatëse në Maqedoni.

Duke u shprehur se si rezultat i punimeve i kanë vënë në zbatim të gjitha mundësitë dhe kanë filluar me aktivitete, Şölendil tha se “I kemi filluar punimet e pastrimit së bashku me Hënën e Kuqe, IBB-në, Kryebashkinë e Bursës, AFAD-in (Drejtoria Turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Gjendjeve Emergjente), TIKA-n, të gjitha institucionet dhe organizatat tona të shoqërisë civile këtu dhe vëllezërit tanë. Po ashtu, janë duke ardhur edhe produkte për ndihmë humanitare, e ne do ta mundësojmë edhe shpërndarjen e tyre.”

Nga ana tjetër, Turunç bëri të ditur se që nga dita e djeshme nga IBB ka ardhur një ekip prej katër personash dhe 12 makina për shpëtim, për të bërë ndërhyrjet e nevojshme të cilat do ta lehtësojnë jetën e njerëzve dhe kushtet e jetesës.

Duke theksuar se në zonë po ashtu gjenden edhe ekipet e Hënës së Kuqe, Turunç tha se “Do të zhvillojmë punime në dy fusha të ndryshme. Makinat e IBB-së do ta mundësojnë pastrimin e baltës dhe mbeturinave nëpër shtëpi dhe rrugë, të cilat e kanë vështirësuar jetën e njerëzve të prekur nga vërshimet. Në anën tjetër, njerëzit kanë nevoja të ndryshme, si për ushqim, veshëmbathje dhe produkte higjienike. Ne si Hënë e Kuqe do t’i plotësojmë këto.”

– “Maqedonia për ne është vend shumë i afërt”

Turunç u shpreh se para se të vinte në Maqedoni ishte takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Unionit të Bashkive të Turqisë. “Edhe Unioni i Bashkive të Turqisë ka filluar një fushatë. Në të njëjtën mënyrë, fushatë ka filluar edhe unioni i bashkive të Marmarasë. Do ta informojmë Turqinë për çfarëdolloj nevoje të ketë sipas vlerësimeve tona. Këto do të sigurohen përmes këtyre fushatave atje, do të sillen këtu dhe do të shpërndahen deri te banorët”, tha Turunç.

Turunç theksoi se përmes ndihmave të ofruara do të mundohen t’ua pakësojnë problemet njerëzve në këtë zonë. Duke rikujtuar se kanë shkuar për aktivitete me ndihma në shumë vende të botës, ai tha se “Maqedonia për ne është vend shumë i afërt. Është vend me të cilin kemi lidhje historike dhe kulturore. Lus Zotin për mëshirë për të vdekurit dhe shërim sa më të shpejtë për të lënduarit. Mendojmë të qëndrojmë këtu derisa të eliminohen vështirësitë.”

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme