Gazetar: Suad Bajrami
Bashkimi Demokratik për Integrim, dyshon për drejtësi selektive nga ana e organeve të vendit ndaj personave që futen në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Reagimi vjen pas nisjes së hetimit për Artan Grubin në lidhje me keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore në vlerë mbi 8 milionë euro, një javë pasi SHBA e futi në Listën e Zezë për marrje ryshfet, me qëllim për ta shpëtuar ish shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov. BDI, hedh paralele me rastin e ish zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, i cili një vit më parë u fut në Listë të Zezë, ndërkaq siç thonë nga integristët ai bën lirshëm biznes.
“Shembulli më i qartë i një drejtësie të paplotë është figura e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, i cili, ndonëse i futur në listë të zezë, vazhdon të zhvillojë bizneset e tij “më mirë se kurrë”. Nëse institucionet janë të përkushtuara ndaj drejtësisë, atëherë edhe ai duhet të jetë pjesë e këtij procesi, sepse drejtësia selektive krijon përshtypjen e një gjuetie politike dhe supremacie etnike. BDI kërkon një proces të barabartë dhe transparent”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Reagimin e opozitares BDI, koalicioni qeveritar VLEN e quan të turpshëm dhe relativizm të fajësisë. Sipas VLEN, BDI nuk është më partia e shqiptarëve, por e hajnisë dhe turpit që korrupsionin e ka kthyer në ideologji, ndërkaq abuzimin me pushtetin në mision.
“Në vend që të kërkojnë falje këta s’kanë turp dhe vazhdojnë të arsyetohen me stilin: “Nuk jemi vetëm ne, edhe të tjerët kanë vjedhur! Edhe të tjerët janë në lista të zeza amerikane!” Ky është fundi i moralit të tyre, fajësinë e pranojnë, por përpiqen ta relativizojnë e ta ndajnë me të tjerët!”. E vërteta është kjo: BDI është e vetmja parti shqiptare në listën e zezë amerikane. Funksionarët e saj janë të vetmit që akuzohen për korrupsion të lartë, për shkatërrimin e gjyqësorit dhe për bashkëpunim me qarqe antiamerikane”, thonë nga Koalicioni VLEN.
Zv.kryeministri Izet Mexhiti paraprakisht për Alsat deklaroi se BDI po përballet me një situatë kur njerëzit i ka në lista të zeza ndërsa i ngjanë një regjimi si të Gruevskit që ndërhyn në gjyqësi, me korrupsion por edhe me ikje nga vendi. Nga ana tjetër sekretari organizativ i BDI-së Blerim Bexheti u distancua nga Grubi duke thënë se ai nuk është pjesë e integristëve dhe i bëri thirrje atij që të kthehet dhe të përballet me drejtësinë. /Alsat.mk