Një përqindje e konsideruar e votave të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit kanë përfunduar si vota të pavlefshme.
Në qendrat e mëdha të Kosovës përqindja e votave të pavlefshme në garën për asambletë komunale sillet mes 7 dhe 10 për qind. Në Prishtinë, 9.29 për qind e votave ishin të pavlefshme, në Prizren 8.58 për qind, në Gjakovë 8.18 për qind, Gjilan 8.43 për qind, Mitrovicë 13.13 për qind, Ferizaj 10.37 për qind, Peja 6.73 për qind.
Sipas Albert Krasniqit nga KDI gabimet më të mëdha po bëhen duke votuar vetëm kandidatin dhe jo subjektin politik. Ai për Koha.net ka thënë se një numër i madh i fletëvotimeve të pavlefshme është për shkak se votohet për më shumë se një subjekt politik.
Duke treguar se së shpejti do të dalin me një analizë përfundimtare përse po ndodhin këto gabime, Krasniqi ka thënë se edukimi i votuesve është problem i madh në Kosovë.
“Edukimi i votuesve është problem. KQZ tek në javën e fundit ka nis me edukimin dhe informim të votuesve. Gabimet më të mëdha po bëhen duke e votuar veç kandidatin dhe jo subjektin politik. Pastaj, votojnë më shumë se një subjekt politik”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet e kaluara lokale, ato të vitit 2013, në total ishin rreth 70 mijë vota të pavlefshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KTV-në se me rezultatet përfundimtare do të bëhet i ditur edhe numri total i fletëvotimeve të pavlefshme.