As deklaratë me shkrim e as deklaratë para kamerave. Disa ditë me radhë Ministria e Financave nuk jep përgjigje nëse do t’i tërheqë nga procedura parlamentare ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit për të përgatitur ndryshime të reja. Edhe sot heshtje nga Ministria e Financave për pyetjet e Alsat për propozimin e Ligjit pas reagimeve të kreut të shtetit Pendarovski dhe homologut të tij austriak për tërheqjen e ligjit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të re ligjore si dhe në të njëjtën kohë të mos keqpërdoret flamuri evropian.
“Për më shumë se dy javë nga Ministria e Financave nuk gjetën kohë të prononcohen lidhur me propozim Ligjin për ndryshimin e lojërave të fatit, i cili është në procedurë parlamentare dhe është vënë me yll Evropian, për të kaluar filtrat e Kuvendit me procedurë të shpejtë”, raporton Adnan Qaili, gazetar.
Propozim-ndryshimet për Ligjin e Lojërave të Fatit janë dorëzuar në Kuvend para më shumë se një muaj.
Sipas informacioneve të Alsat, ndryshimet i hapin rrugë hyrjes së një kompanie nga Serbia në këtë biznes. Për momentin nuk ka informacione nëse ligji i propozuar do të tërhiqet pasi Arbër Ademi, i cili është kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, nuk i përgjigjet thirrjeve të televizionit Alsat.
DRAFT LIGJI
“Në ndryshime, përveç që kërkohet që objektet e bastoreve të jenë të paktën 500m larg institucioneve arsimore, parashikohen taksa më të larta ndaj shtetit për kompanitë e këtij biznesi.”
Ndryshe, Pendarovski në takim me kolegun e tij austriak Van der Belen, porositi që të mos keqpërdoret përdorimi i flamurit evropian gjatë miratimit të ligjeve kaq të ndjeshme. Sipas presidentit austriak, është e nevojshme që Kuvendi i Maqedonisë të gjejë rrugën e duhur. I ftuari theksoi se zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve evropiane dhe që flamuri i BE-së të mos përdoret për këtë ligj. Pendarovski, nga ana tjetër, propozoi që të organizohen debate publike për këtë temë me qëllim që të arrihet zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët e interesuara. /Alsat.mk