Detaje të reja po dalin nga hetimi për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis, ndërsa autoritetet kanë zbuluar të dhëna dixhitale që po hedhin dritë mbi minutat e fundit të tij në klinikë. Sipas raportimeve të Protothema, hetuesit kanë sekuestruar telefona, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike të klinikës së mjekëve Ilia Theodoropoulos dhe Ioanna Gaka. Dy mjekët janë vënë nën akuzë për ekspozim ndaj rrezikut që solli vdekjen e këngëtarit dhe pritet të japin shpjegimet e tyre para gjyqtarit hetues.
Një nga zbulimet që ka tërhequr më shumë vëmendjen është një fotografi e Mazonakis, e gjetur në telefonin e mjekes, e cila ishte fshirë. Në foto, këngëtari shfaqet i shtrirë në aparaturën ku kryhej plazmafereza. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se kur është realizuar fotografia dhe nëse ajo i përket ditës kur këngëtari pësoi arrest kardiak.
Kërkimi misterioz me inteligjencën artificiale
Një tjetër element i pazakontë lidhet me kompjuterin e klinikës. Sipas të dhënave të analizuara nga hetuesit, në një moment kritik është kryer një kërkim për mënyrën se si mund të rikthehej në jetë një pacient. Autoritetet po verifikojnë nëse kërkimi është bërë përmes një platforme të inteligjencës artificiale dhe, nëse po, kush e ka kryer, në çfarë ore dhe çfarë informacioni është kërkuar.
Hetuesit po krahasojnë orarin e këtij aktiviteti dixhital me momentin kur Mazonakis pësoi arrest kardiak.
U fshinë edhe takimet e Mazonakis
Dyshime kanë ngritur edhe të dhënat e kalendarit elektronik të klinikës. Sipas raportimeve, nga sistemi janë fshirë regjistrime që lidhen me takimet e këngëtarit. Hetuesit po përpiqen të rikuperojnë të dhënat për të përcaktuar vizitat e Mazonakis dhe kohën kur janë bërë fshirjet.
Në hetim ka hyrë edhe një mospërputhje për orarin e mbërritjes së këngëtarit. Sipas të dhënave të mbledhura nga policia, ai dyshohet se ka hyrë në klinikë pak pas orës 13:00, ndërsa një version tjetër e vendoste mbërritjen e tij pas orës 16:00.
Ekspertët kontrollojnë aparaturën e plazmaferezës
Autoritetet po analizojnë edhe vetë aparaturën ku ndodhej Mazonakis. Ekspertët pritet të nxjerrin të dhënat elektronike të pajisjes për të përcaktuar se kur është aktivizuar dhe kur ka ndaluar së funksionuari. Këto të dhëna do të krahasohen me pamjet e kamerave të sigurisë, komunikimet, dëshmitë dhe provat e tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Nga klinika janë sekuestruar kompjuterë, disqe, dokumente dhe pajisje të tjera elektronike, ndërsa janë marrë edhe telefonat e sekretareve për të verifikuar komunikimet dhe oraret e takimeve. Megjithatë, pavarësisht zbulimeve të reja, shkaku përfundimtar i vdekjes së Giorgos Mazonakis ende nuk është përcaktuar. Përgjigje të mëtejshme priten nga analizat toksikologjike dhe histologjike.
Hetuesit po përpiqen tashmë të rindërtojnë minutë pas minute çfarë ka ndodhur në klinikë: nga mbërritja e këngëtarit, procedura që iu krye, momenti i arrestimit kardiak dhe veprimet e ndërmarra më pas.
The post Vdekja e Giorgos Mazonakis/ “Si ta rikthejmë në jetë?!”, provat e fshira dhe kërkimi me AI tronditin hetimin. Çfarë ndodhi në klinikë? appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



