Pesë punonjës të stafit teknik të një subjekti minerar në Bulqizë janë vënë në pranga, pasi dyshohet se kanë neglizhuar marrjen e masave për sigurimin teknik të punës, çka dyshohet të ketë sjellë vdekjen e një 66-vjeçari.
Policia e Bulqizës bëri me dije se të arrestuarit janë:
- Njazi Përkola, 46 vjeç
- Besnik Çupi, 68 vjeç
- Ferit Truka, 61 vjeç
- Ervis Kadiu, 35 vjeç
- Edmond Xhafa, 51 vjeç
Ngjarja tragjike ndodhi më 6 gusht, kur minatori me iniciale F. Sh., 66 vjeç, humbi jetën si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri.
Sipas hetimeve paraprake, të pesë të ndaluarit akuzohen se nuk kanë garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e punonjësve.
Njoftimi:
Bulqizë/ Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F. Sh., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. Sh., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.



