Pas një sëmundje të shkurtër, ka vdekur sot gazetari i sportit në RTV 21, Agim Binaku.
Agim Binaku ishte zëvendësdrejtor i programit informativ të RTV 21 dhe redaktor përgjegjës i redaksisë së sportit të RTV 21, pjesë e të cilit ishte qysh nga fillimet e tij tash e gati dy dekada.
Binaku ishte njëri prej gazetarëve veteranë të sportit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në hapësirën shqiptare.
Realizoi mijëra emisione, transmetime të drejtpërdrejta, dokumentarë, reportazhe, intervista me emra të mëdhenj të sportit kosovar, por edhe atij botëror.
Në vitet ‘70 dhe ‘80 punoi në Radio Prishtinë, duke drejtuar emisionin e popullarizuar “Pasditja argëtuese sportive” në epokën e artë të sportistëve kosovarë.
Në vitet 90-të ishte themelues dhe kryeredaktor i revistave të para sportive në Kosovë “ Reflekset sportive” dhe “Top sporti”.
Agim Binaku u nderua në Tiranë me çmimin mbarëkombëtar të gazetarisë sportive “Anton Mazreku” si dhe u nderua me një varg mirënjohjesh për punën e tij mbi katër dekada në gazetarinë sportive.