Veç 30 për qind e zyrtarëve të lartë e deklaruan pasurinë

Prej 4,700 zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë, që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion, deri më tani vetëm rreth 1,300 zyrtarë, ose 30 për qind prej tyre e kanë deklaruar pasurinë.

Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) thonë se ky numër i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë është mjaft i vogël.

Drejtori i Departamentit për Parandalim të Korrupsionit në AKK, Afrim Atashi thotë se edhe 3,600 zyrtarë të lartë publik nuk e kanë deklaruar pasurinë, por shpreson se deri më 31 mars do të deklarojnë edhe zyrtarë të tjerë.

Atashi thotë se për deklarim të rrejshëm ky Agjencion ka bërë mbi 30 kallëzime penale ndaj zyrtarëve të lartë publik për vitin 2018.

“Janë diku mbi 30 kallëzime penale që i kemi bërë për këto raste, edhe ata që nuk e kanë bërë deklarimin e rregullt vjetor, por edhe kallëzimet për deklarim të rrejshëm… Është numër i vogël (i atyre që kanë deklaruar pasurinë deri tash), por është praktikë disa vjeçare që zyrtarët e lartë e lënë nga fundi deklarimin e pasurisë. Janë rreth 1,300 nga 4,700 sa janë krejt. Nëse shihet me statistika është shumë numër i vogël që nuk e deklarojnë me kohë”, tha Atashi.

Ndërsa, se sa janë reale deklarimet e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë  se në mungesë të mekanizmave të Agjencisë Kundër Korrupsion për të verifikuar atë çka deklarohet dhe njëkohësisht në mungesë të dispozitave ligjore për t’i obliguar zyrtarët ta deklarojnë prejardhjen e pasurisë, mund të thuhet që një masë e madhe e deklarimit të asaj pasurie mund të mos jetë e saktë.

Demhasaj thotë se pjesa më e madhe e deklaruesve kanë pasuri të pa shpjegueshme për shkak se vlera e tyre e kalon edhe mbi një milion, e në anën tjetër të hyrat e tyre vjetore nuk korrespondojnë me atë çka deklarojnë.

“Ne në masë të madhe në periudha të ndryshme kohore kemi zhvilluar hulumtime për një numër të caktuar të zyrtarëve të lartë publik dhe kemi gjetur në fakt edhe biznese, toka si dhe pasuri të tjera të paluajtshme që zyrtarë të lartë publik i posedojnë e që nuk i kanë deklaruar tek Agjencia Kundër Korrupsionit. Kështu që nëse bazohemi në këtë, atëherë ka raste të tilla që zyrtarët nga koha në kohë edhe nuk deklarojnë pasuritë. Problem tjetër qëndron edhe tek vlera e pasurisë që zyrtarët e deklarojnë ndryshe nga viti në vit vlerën e pasurisë. D.m.th. lëvizin edhe me vlera të tilla krejt për shkak të problemeve ligjore që nuk janë adresuar si duhet”, tha Demhasaj.

Ai ka shtuar se ka një kategori të zyrtarëve që në masë të madhe kur e deklarojnë pasurinë e rritin vlerën e pasurive, sepse ashtu iu përshtatet me pasur pasuri me të madhe, por është edhe kategoria tjetër që është ende më e rrezikshme që ia ulin vlerën pasurive të tyre për mos me dal që janë shumë të pasur.

Ndërsa, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) thotë se realiteti dhe deklarimet zyrtare jo çdo herë janë në përputhje.

Ai tha se prokuroria në të gjitha rastet kur ka dyshime duhet të bashkëpunojë ngushtë me AKK-në në zbulimin e këtyre rasteve dhe me pas dërgimin e tyre para gjykatave.

“Lidhja e sistemit te deklarimit me sistemet elektronike si ai i regjistrave kadastral apo llogarive bankare sipas numrit personal të zyrtarit do te ishte lehtësi në zbulim e parandalim”, tha Spahija në një përgjigje elektronike.

Procesi i deklarimit të pasurisë për vitin 2019 ka filluar më 1 mars dhe përfundon më 31 të këtij muaji.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme