Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka konfirmuar se nuk do të jetë kandidati i partisë së tij për kryeministër të vendit në zgjedhjet e 11 qershorit, kurse zyrtarët e lartë të kësaj partie thonë se ende nuk është caktuar emri i pretenduesit për shefin e ekzekutivit të vendit.
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë për Telegrafin se LDK ende nuk është përcaktuar se kë do ta kandidojë për kryeministër.
Ai tha se organet e partisë shumë shpejt do të dalin me emrin e kandidatit të LDK-së për kryeministër.
Ndërsa, i pyetur për koalicionet parazgjedhore, nënkryetari i LDK-së ka theksuar se po vazhdojnë takimet dhe bisedat me subjektet politike.
“Jemi në biseda me disa subjekte politike, por ende nuk ka vendim të partisë lidhur me koalicionet”, ka shtuar Veliu, për Telegrafin
Ndryshe, nga e shtuna, kur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka konfirmuar se nuk do të jetë kandidati i partisë së tij për kryeministër, mediat kanë spekuluar lidhur me emrat e kandidatëve të mundshëm brenda LDK-së, por edhe jashtë saj, të cilët do të mund të nominoheshin nga ky subjekt politik për kryeministër.
Në vazhdën e këtyre spekulimeve janë lakuar emrat e Lutfi Hazirit, Kujtim Shalës, Avdullah Hotit, analistit Driton Selmanaj dhe drejtorit të Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku.
Duket se LDK-ja nuk do të jetë e vetme në koalicionin parazgjedhor, dhe se së bashku në koalicion me të, do të jenë edhe “Alternativa” e Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës. Se janë duke diskutuar për një gjë të tillë, nuk e ka mohuar njëri prej titullarëve të Alternativës, Ilir Deda.
Ndryshe, Mustafa, në tubimin e LDK-së, të zhvilluar dje në Istog, ka thënë se do ta diskutoj më kryetarët e degëve të LDK-së dhe anëtarët e kryesisë, për atë se kush do të jetë mandatari i partisë për kryeministër.