Lëvizja Demokratike e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se sot janë takuar lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i AKR-së, Behgjet Pacolli, ku kanë vendosur për hapat e mëtutjeshëm.
Sipas këtij njoftimi, thuhet se ky koalicion në asnjë mënyrë nuk do të hyjë në bashkëqeverisje me PAN-in.
Njoftimi i plotë:
Koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi
Pas zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë e vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor.
Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarëte Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi.
Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja.
LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet. Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion.
Zyra për Informim e LDK-së