Orët e para të mëngjesit është sulmuar me thikë ish-efektivi i forcave Shqiponja, Lavdosh Metaj, nga roja e një hoteli për shkak se 41 vjeçari nuk pranoi të kryente pagesën e parkimit të automjetit.
Policia ka arrestuar autorin e kësaj ngjarje, i identifikuar si A.Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40 të datës 11 korrik, në lagjen numër 1 të qytetit, pas një konflikti të çastit mbi pagesën për vendparkimin.
Duke qenë se Metaj nuk pranonte të kryente pagesën, roja e ka sulmuar 41 vjeçarin me thikë.
Ish-efektivi ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.
Kujtojmë se Lavdosh Metaj është arrëstuar më 12 qershor 2021, falë operacionit të AMP-së në kuadër të hetimeve që po zhvilloheshin ndaj ish-efektivit për shpërndarje kokaine në Saradë.
Atij iu dha dënimi me 8 vite burg, po për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje të dënimit në 5.4 vite heqje lirie.
Tre muaj më parë, Lavdosh Metaj përfitoi nga amnistia dhe u lirua nga burgu.
NJOFTIM
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi L. M., kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit:
A. Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 03:40, në lagjen nr.1, në një vendparkim, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.