Veprimtaria “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”- Spiropali: Rikujtojmë me dhembje e respekt ata burra, gra e fëmijë që bashkëjetuan me vdekjen në birucat e kësaj kalaje

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë dhe përshëndeti sot në veprimtarinë “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, organizuar në Porto Palermo, nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Bashkinë Himarë, me rastin e Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.


spiropalii

Në fjalën e saj, Spiropali, pasi falenderoi organizatorët për organizimin e kësaj veprimtarie në përkujtim të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, nënvizoi: “23 gushti është shenjuar si Dita e Kujtesës Europiane për Viktimat e Komunizmit dhe Fashizmit nga Parlamenti Evropian. Një ditë homazh e kujtesë për ato dhjetra milionë jetë njerëzore të këputura në mes, ato drama e tragjedi personale e të gjithë shoqërisë njerëzore të shkaktuara nga këto dy skaje ekstreme të regjimeve dhe ideologjive, dy skaje të të njëjtës humnerë, dy anë të të njëjtës monedhe kriminale siç ishte nazifashizmi dhe komunizmi.

Mundet vetëm ta imagjinosh e ta ndjesh, por jo ta përshkruash se si mund të jetë një burg, që afron murin që mbyll trupin, kur syri ka lirinë të prekë pafundësinë e horizontit mbi det; si mund të ketë qenë terri i qelisë, në këtë oaz të natyrës me diell që nuk perëndon kurrë. Së paku dy vjet, 1949-1950, ky vend u tentua të bëhet varr ëndrrash dhe mal vuajtjesh të pafundme njerëzore. Por, dy Lekët, Mirakaj e Pervizi që ndodhen këtu, si të mbijetuar të asaj kohe të egër, janë dëshmia se asgjë në këtë botë nuk mund të jetë më e fortë se qenia njerëzore; se e liga i ra gurit dhe e theu, i ra njeriut dhe mbijetoi!

Një nga ata deshmitarë të dorës së parë, është dhe biri i Dhërmiut dhe gjithë Shqipërisë, shkrimtari antifashist Petro Marko! Kundërshtar i çdo regjimi, shpirt i lirë nga letërsia dhe ushtar i lirisë, Petro Marko, përpara se të mbyllej në internim në ishullin italian të Ustikës, u internua, siç shkruan vetë ai, në atdheun e vet, në fshatin e vet.

Sot, ne rikujtojmë me dhembje e respekt, 82 burrat, 62 gratë dhe 37 fëmijët, të cilët bashkëjetuan me vdekjen në birucat e kësaj kalaje, për 13 muaj.

Persekutimi komunist është një pjesë e errët e historisë moderne të shqiptarëve.

Fatkeqësisht ende jo e njohur siç duhet; ende e paqortuar dhe kuptuar në gjithë kompleksitetin e saj; pjesë e një tragjedie që pushtoi gati gjysmën e botës dhe e bëri këtë botën tonë të vogël shqiptare të zymtë e tragjike. Kampi i Porto Palermos është gjithashtu një nga faqet nga më të dhimbshmet e saj. Ajo duhet studiuar, ekspozuar dhe njëlloj si viruset qe vriten kur dalin në dritë të diellit, duhet të ndriçohet nga drita e njohjes për tu ndarë përfundimisht me të.

Përndjekja që preku edhe Petro Markon, shenjoi në mënyrë të njëjtë, si të burgosur edhe komunistët në fillim kur luftonin për çlirimin e vendit, edhe antikomunistët më pas që dëshironin një Shqipëri me fytyrë nga perëndimi. Në krye të herës, sipas Direktivës së Jakomonit të datës 5 qershor 1939, se “të gjithë personat të cilët çmohen të rrezikshëm për sigurinë, të internohen nga 1-5 vjet”, vetëm dy muaj pas pushtimit, autoritetet italiane urdhëruan krijimin e fushave e kampeve të internimit në mjaft zona të vendit, mes tyre edhe këtu, në Porto Palermo. Patriotët e luftëtarët antifashistë, që kishin filluar të organizoheshin kundër pushtuesve, do të provonin të njëjtin fat, edhe në kampet e tjera të internimit, në Shqipëri dhe Itali. Në këtë vit të 80-vjetorit të çlirimit, nderim e respekt të thellë për patriotët antifashistë, të internuar në kampet e fashizmit, që bashkë me luftëtarët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, sakrifikuan rininë dhe jetën për lirinë e Shqipërisë.

Në emër të drejtësisë sociale, gjatë dekadës së fundit, ligjet, politikat, programet dhe institucionet shtetërore janë marrë në mënyrë të posaçme me ish të persekutuarit dhe ish pronarët, këto dy grupe të respektuara, për të vendosur në vend padrejtësitë e totalitarizmit dhe rikthyer të drejtat e grabituara për ish pronarët dhe jetët e përgjakura për ish të persekutuarit. Cilësorin ISH të pronarëve po ua heqim se ata po gëzojnë e do të gëzojnë realisht pronat e tyre. Cilësori ISH për të përndjekurit do të jetë sepse të përndjekur të rinj nuk ka dhe nuk do të ketë.

Trajtimi i çështjes së viktimave të totalitarizmit, pasardhësve të tyre dhe ish të përndjekurve politikë, në kontekstin e një demokracie liberale, siç është sot shoqëria shqiptare, është një çështje komplekse.

Në radhë të parë, është një çështje politike. Në sensin që shoqëria, shteti dhe institucionet, duhet të njohin katërcipërisht përmasat e kësaj traume politike e shoqërore.

Por edhe të krijojmë kushtet që të drejtat dhe liritë të lulëzojnë për të gjithë, që institucionet demokratike t’i forcojmë, që vlerat demokratike të jenë udhëharta e Shqipërisë europiane dhe euro-atlantike dhe që në të gjitha këto procese ish të përndjekurit të gëzojnë akses, përfshirje, kontribut dhe prosperitet.

Është një çështje ekonomike. Asnjë kompensim, sado i konsiderueshëm qoftë, nuk mund të kthejë jetët e humbura, të përgjakura e të gjymtuara. Ne duhet të krijojmë dhe synojmë të krijojmë kushtet që liritë ekonomike dhe tregjet e lira të jenë aksesi dhe destinacioni i këtij grupi shoqëror.

Është një çështje ligjore. Në tryezën time si edhe në kalendarin e punës së Kuvendit kemi propozimet për ndryshime në ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në kuadrin ligjor e nënligjor për pafajësinë, amnistinë, rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. Këto propozime do të kenë vëmendjen time maksimale. Kuvendi do të bëjë më të mirën për të plotësuar e përmirësuar legjislacionin për trajtimin, dinjitetin dhe prosperitetin e ish të përndjekurve, njohjen e trashëgimisë së tyre politike, njerëzore e kombëtare, si pjesë e historisë dhe e trashëgimisë kombëtare. Duke falenderuar Autoritetin dhe grupet parlamentare për këto propozime, dhe duke qenë se këto çështje nuk janë dhe nuk duhet të jenë çështje partiake, do të synoj mbështetjen dhe konsesusin e të gjithë grupeve parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e tyre.

 

Është një çështje sociale, e cila presupozon drejtësi sociale si të gjithë dhe nxitjen e kontributit të tyre për kohezionin social të shoqërisë shqiptare.

Është një çështje e edukimit demokratik e qytetar. Që brezat e sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë të njohin këtë faqe të historisë sonë, e cila do t’i bëjë ata, por edhe ne të gjithëve, të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm që dashuria të mundë urrejtjen, e mira të keqen, mirëkuptimi grindjet, toleranca konfliktin, urtësia dhunën dhe interesi publik e kombëtar interesat individuale apo partikulariste. Prandaj kultura e respektit, paqes dhe pajtimit duhet të edukohet te brezat e rinj, nëpërmjet sistemit arsimor dhe burimeve të tjera edukuese.

Kuvendi do ta konsiderojë këtë një aspekt të rëndësishëm të misionit të tij si edukator publik, demokratik e qytetar.”

Kryetarja Spiropali falenderoi Qeverine Suedeze, Bashkimin Europian dhe Komisionin Ndërkombëtar për të Zhdukurit, për mbështetjen e veprimtarive të Autoritetit si edhe për Qeverinë e Zvicrës dhe Fondacionin Konrad Adenauer  për mbështetjen që japin ndaj veprimtarive të Kujtesës, si edhe komunitetet fetare, për mbështetjen e tyre shpirtërore e njerëzore ndaj lehtësimit të integrimit shoqëror të kësaj shtrese dhe ruajtjes së vlerave të lirisë, drejtësisë e humanizmit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme