Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe i nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, duke paraqitur planin për zhvillim ekonomik, kanë premtuar një rritje të buxhetit prej 8 për qind, duke thënë se derisa subjektet tjera kanë vetëm premtime, koalicioni PDK-AAK-Nisma ka vizionin dhe guximin për të arritur çdo objektivë.
Ata, gjatë një konference për media, kanë paraqitur prioritetet që kanë për ekonominë.
Veseli tha se Kosovës i duhet një Fillim i Ri për ekonominë dhe kjo është ajo që do të bëjnë, pasi që qytetarët t’ia japin miratimin më 11 qershor.
“Sot ekonomia jonë e gjen vetën të ngecur, kjo është arsyeja se pse ne kemi marrë vendim që të kemi rritje 8 për qind. Për të arritur këtë qëllim kemi vendosur 3 pika prioritare. Prioriteti i parë është që qeveria jonë të filloj të mbështetë bizneset aktuale që janë në Kosovë. Do të trefishojmë fondin për garantimin kreditor, do të trefishojmë edhe fondin për bizneset e vogla në mënyrë që ti stimulojmë. Do t’i themi mjaft importit, ne blejmë aq shumë gjëra nga jashtë dhe kjo më nuk do të ndodhë, do ta caktojmë një objektiv pesëfishimin e eksportit. E dyta do të jetë bujqësia: bujqësia do të jetë motori i transformimit ekonomik të Kosovës, ne duhet ta mbrojmë dhe ta rrisim atë. Së bashku me kryeministrin do ta dyfishojmë buxhetin për bujqësinë, do të rriten grantet dhe subvencionet”, tha ai, raporton Kosovapress.
Veseli shtoi se gratë dhe rinia jonë duhet të mbështeten dhe të jenë prioritet.
“Do të ndihmohen të gjitha gratë në biznes. Të rinjtë janë e tashmja jonë dhe ne do të punojmë me ta dhe për ta. Do të rrisim pensionet dhe pagat”, tha ai.
Ndërsa, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, tha se janë ekip serioz dhe sot po e dëshmojnë që prioriteti i tyre është puna.
“Do të zhvillojmë bujqësinë për të rritur eksportin. Qeveria ime do të mbështesë gratë dhe të rinjtë. Ekonomia jonë ka ngecë viteve të fundit, me përkrahjen e Kadri Veselit, Qeveria e ardhshme do të veproj dhe do të arrijë çdo objektivë, do ta zgjidhim problemin e kartonit të gjelbër, do t’i heqim tatimet në fitim, do t’i eliminojmë të gjitha ngarkesat për prodhues, do t’i jetësojmë pushimet tatimore, do t’i rrisim pagat në sektorin publik”, tha ai.
Sa i përket importit, Haradinaj tha se do t’i ulin importet, duke ia filluar me produktet e importit të Serbisë.