Veseli e Haradinaj zotohen për respektim të plotë të Ligjit të Punës

Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi edhe me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, njëherësh kryesues i listës së deputetëve të këtij koalicioni, ka thënë se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka dëshmuar pjekuri dhe gatishmëri për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

“Do të përqendrohemi në respektimin e plotë të Ligjit të Punës dhe të drejtave të punëtorëve, në investime në bujqësi, në pranimin e stazhit për vitet e nëntëdhjeta. Qëndrojmë të bashkuar për një Kosovë perëndimore me demokraci të fuqizuar dhe me një ekonomi të tregut të zhvilluar”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së rikonfirmoi planifikimin për rritjen e pagave prej 30 për qind për të gjithë punonjësit e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, policët, pjesëtarët e FSK-së, mjekët, zjarrfikësit dhe gjitha kategoritë tjera.

Veseli po ashtu tha se platforma qeverisëse “Fillimi i Ri” do të sigurojë fuqizimin edhe të sektorit privat përmes mbështetjes konkrete të ndërmarrjeve dhe fermerëve.

Ndërsa, kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, është zotuar se do të vazhdojë në frymën e njëjtë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të Qeverisë me BSPK-në, me qëllim të përmirësimit të pozitës së punëtorëve në Republikën e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se fryma e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit do t’i çojë përpara të drejtat e punëtorëve.

“Nuk do të jemi larg punëtorëve, do të jemi afër tyre me çdo projekt dhe mbështetje dhe nuk do të mund të shkelen më të drejtat e punëtorëve. Do të rrugëtojmë së bashku në respektim të plotë të ligjit të punës”, tha Haradinaj.

Në emër të sindikalistëve, Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka kërkuar që t’u sigurohet një hapësirë më e mirë për punën e tyre në përfaqësim të punëtorëve dhe rritje të efikasitetit në mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës, në mënyrë substanciale dhe pa vonesa.

“Për ne është shumë i rëndësishëm zbatimi i plotë i Ligjit të Punës, duke përfshirë të gjitha nenet relevante të këtij ligji. Kurse, kërkesë e jona është edhe nënshkrimi i marrëveshjes së re kolektive dhe fillimi i zbatimit të plotë të saj në nivel nacional, brenda gjashtëmujorit të parë të mandatit të qeverisë së re”, ka thënë Arifi.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar edhe ngritjen e pagës minimale për punëtorët, ngritjen substanciale të pensioneve, investime më të mëdha në bujqësi, si parakusht për punësim më të madh të popullsisë, ngritje substanciale të sigurisë në punë dhe zbatim të masave adekuate për mosrespektimin e normave të sigurisë në punë nga punëdhënësit.

Kreu i sindikalistëve ka kërkuar edhe pranimin e stazhit të punëtorëve të viteve 1990-1999.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme