Veseli: FSK është gati dhe shpejt do të bëhet Ushtri e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi Kazermën e FSK-së në Mitrovicë, ku takoi pjesëtarët e Brigadës së Reagimit të Shpejtë, të cilat ditë më parë fituan medaljen e artë në garën ushtarake, më sfiduese dhe më prestigjioze në botë “Cambrain Patrol”, të mbajtur në Britani të Madhe.

Pasi falënderoi këtë skuadër për suksesin e treguar në Britani të Madhe, Veseli tha se ky sukses i këtyre djemve, bashkë me komandanten e kontingjentit, Manusheqe Nura, e ka nderuar shtetin e Kosovës, Forcën e Sigurisë së saj dhe të gjithë qytetarët e vendit. Por jo vetëm kaq.

Kreu i Kuvendit tha se me suksesin e tyre, ata dhanë edhe një dëshmi të fuqishme për profesionalizmin ushtarak të FSK-së, dëshmi, për faktin se FSK-ja ka arritur standardet më të larta të kërkuara nga NATO dhe tani është gati të jetë pjesë e saj: kontribuuese e drejtpërdrejtë për paqen, kudo që i kërkohet.

“FSK-ja është shembulli më i mirë që tregon se Kosova gjithmonë ka ecur përpara, duke qëndruar fuqishëm në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe mbarë botën demokratike”, tha Veseli.

Ai theksoi se ky partneritet u rrit në ditët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithmonë do të mbetet vlerë themelore e popullit dhe shtetit tonë të pavarur e sovran.

“FSK-ja është gati dhe shpejt do të bëhet Ushtria e Kosovës. Ushtria e Kosovës është element i domosdoshëm në arkitekturën e sigurisë nacionale, rajonale dhe më gjerë. Shpejt do ta kemi këtë ushtri, partnere të denjë të Aleancës Veriatlantike, emblemë krenare të Kosovës së zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian”, theksoi kryeparlamentari.

Ai shtoi se kjo skuadër e shkëlqyeshme është drejtuar nga nëntogeri Ismail Hoxha, i cili vitin e kaluar u shpall kadeti më i mirë në Akademinë Ushtarake të Londrës, në mesin e kadetëve nga 30 shtete të botës.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit tha se djemtë dhe vajzat e Kosovës po bëjnë mrekulli gjithandej garave ndërkombëtare, në sport, kulturë, e aktivitete ushtarake, duke e stolisur përditë me medalje të arta emrin dhe identitetin shtetëror të Kosovës. Ai shtoi se kjo është dëshmia më e mirë se kemi një rini të artë, një rini që e do atdheun dhe punon me përkushtim për të ardhmen e tij.

“Manushaqe, Ismail, Fiton (djali i dëshmorit të UÇK-së, Isa Kastrati), Feti, Mensur, Valon, Kushtrim, Qemajl, Fatmir, Daut, Liridon, Nexhip, Agim, faleminderit. Krenohemi me ju. Ju jeni argument më i qartë se ardhmja jonë është e sigurt. Ju premtoj se këtë krenari do ta kthejmë në përgjegjësi të shtuar për të punuar që suksesi juaj të pasohet nga shumë suksese tjera në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe shtetit tonë”, theksoi kryetari Veseli.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme