Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, javë më parë deklaroi për Gazetën Express se UÇK’ja s’ka pasur më shumë se 12.700 ushtarë. Me të po pajtohet ish-bashkëluftëtari i tij, tani kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në një prononcim për T7, Veseli ka thënë se i beson Selimit.
Kadri Veseli ka lënë kryeqytetin që të dielën ta kalojë në fshatin Likoc të Skenderajt.
Pritja që iu bë në Drenicë duket se ia shtoi humorin kryetarit të PDK-së.
E nga ky vend që është bastion i PDK, kryetari i kësaj partie ka një mesazh për të gjithë ata që flasin për ndarje të Kosovës.
“Nuk do të ketë ndarje …kërkush nuk do guxoj me fol për këtë punë”, ka thënë Veseli me bindshëmri.
Se e ka përnjëmend mesazhin e dhënë në në Vendin ku ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, e tha edhe në intervistën dhënë për T7.
“Shqiptarët do të vazhdojnë të jenë popull paqësor, do t’i respektojnë fqinjët, por ma kurrë, kurrë nuk guxon kërkush me cenu territorin tonë”, shprehet Veseli.Vendosmëria e Veselit, për territorin lidhet edhe me vendin ku ai e jep këtë mesazh.
Rikthimi në objektin e Selisë Qëndrore të UÇK-së duket se ia shton besimin ish udhëheqësit të luftës për liri.
Dhe sa herë vjen në këtë vend, Veseli kujton gjithë ata ushtarë të UÇK-së që luftuan për lirinë e Kosovës, të cilët sipas tij nuk kanë qenë aq shumë sa janë veteranë.
“Qe komandanti flet për numra, une nuk kam mbajtë statistika…por e kanë tepru…”, ka thënë Veseli, duke drejtuar gishtin nga Sami Lushtaku.
Por, ai thotë se i beson ish-komandantit të përgjithshëm, Sylejman Selimi.
Selimi javë më parë deklaroi se UÇK-ja s’ka pasur më shumë se 12.700 ushtarë.
E me kryetarin e PDK-së, pajtohet edhe ish-Komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku.
Javën që shkoi, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 12 personave për çështjen e listave të veteranëve, e gjykimi pritet të filloj shumë shpejt.