Veseli: Kurrë nuk mund të barazohet viktima me agresorin, luftëtari i UÇK-së me ushtarin serb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sapo ka publikuar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, një pjesë të fjalimit të tij të mbajtur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, mund t ë bëhet çfarëdo gjyqi, e mund të shkruhen lloj-lloj raporte kundër UÇK-së, por që sipas tij, kurrë nuk mund të barazohet viktima dhe agresori, luftëtari i UÇK-së me ushtarin serb.

Postimi i plotë i Veselit:

Ka një të vërtetë të vetme për Kosovën, për luftën e saj. Ishte luftë për çlirim.

Asgjë më shumë. Asgjë më pak.

Mund të bëhen akuza, gjyqe, të shkruhen raporte e lloj-lloj fushatash kundër UÇK-së dhe drejtueseve te saj, por kurrë nuk do të mund ta barazojnë viktimën me agresorin, luftëtarin e UÇK-së me ushtarin serb.

Sulmet e padrejta kurrë nuk do të mund ta errësojnë faktin se luftëtarët e UÇK-së kanë qenë dhe përjetësisht do të mbeten çlirimtarët e Kosovës./Zeri.info