Veseli: Nuk mund të krijohet ushtria duke humbur besimin e ndërkombëtarëve

Partia Demokratike e Kosovës sot ka zhvilluar mbledhjen e radhës të Këshillit Drejtues, ku është diskutuar për gjendjen aktuale në vend, angazhimet partiake e institucionale dhe për prioritetet e ardhshme.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, në të gjitha nivelet e saj, në të gjitha angazhimet e saj, ka qenë garantues kryesor i të arriturave të mëdha të shtetit tonë gjatë gjithë këtyre viteve, njofton kumtesa, transmeton “Zeri.info”.

“Në dy vitet e fundit si shtet dhe shoqëri kemi kaluar momente aspak të mira. Kemi kaluar momente sfiduese për shtetin dhe disa herë zhgënjyese për qytetarët tanë. Imponimi i frymës së konfliktit politik, ikja nga domosdoshmëria e konsensusit për interesat vitale të shtetit, kanë pasur vetëm pasoja negative për vendin dhe qytetarët. Duhet të jemi realist në këtë drejtim”, është shprehur kryetari Veseli.

Ai ka thënë se është humbur shumë kohë dhe energji në debate dhe agjenda shterpe, si dhe janë  lënë anash qytetarët dhe shqetësimet e tyre reale që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve të tyre.

“I kemi ftuar forcat opozitare që të ulemi së  bashku t’i diskutojmë  dallimet, t’i bashkëbisedojmë mosmarrëveshjet, të kërkojmë zgjidhje përmes dialogut të brendshëm, por thirrjet tona gjithmonë janë refuzuar prej qëndrimeve të ngurta të atyre që verbërisht besojnë se ata dhe vetëm ata janë pronarë të së vërtetës”, është shprehur Veseli.

Më tej , kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka theksuar se nuk  do të lejohet që mbi shtetin tonë të vendosen pikëpyetje e as të cenohet partneriteti me botën demokratike, pasi politika ekziston për t’u dhënë zgjidhje problemeve dhe jo për t’i shkaktuar ato.

“Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme t’i prijë zhvillimit të Kosovës, në të gjitha drejtimet. Nuk do të lejojmë që mbi shtetin e Kosovës të vendosen pikëpyetje ekzistenciale dhe gjeopolitike”, ka thënë i pari i PDK-së.

Kurse, duke folur rreth zhvillimeve të kohëve të fundit, Veseli ka pohuar se është shmangur dhuna në favor të arsyes.

Në anën tjetër, zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka potencuar se sfidat e brendshme politike i sheh si shumë  serioze, ndërsa mosgatishmërinë për arritjen e konsensusit politik e konsideron si tendencë që e prish shtratin e kulturës së shpresës tek qytetarët.

Pas një debati të gjerë ku shumë anëtarë të Këshillit Drejtues shprehen pikëpamjet e tyre, u vendos që Konventa e  Punës e PDK-së të mbahet në muajin Mars.

Këshilli Drejtues i PDK-së me vota unanime aprovoi propozimin e kryesisë për zgjerimin e kryesisë së partisë, thuhet në fund të njoftimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme