Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, madje tha se ato janë të pashmangshme.
Veseli, në një konferencë për shtyp pas kthimit nga vizita zyrtare në SHBA, tha se tash do të ulen të flasin për kohën që duhet mbajtur zgjedhjet.
Ai tha se vendimi për dorëheqje i kryeministrit Ramush Haradinaj ishte personal dhe se për të nuk ishin njoftuar më herët.
“Vendimi i ish-Kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht që për këtë nuk kemi pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje, kurdo që caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet tash është vetëm koha kur ato duhet të mbahen. Për këtë, besoj se do të kemi konsulta edhe me partnerët e koalicionit të deritashëm dhe me partitë tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi”, tha Veseli.
Ai tha se qytetarët tanë të kenë besim të plotë se shteti, sovraniteti dhe integriteti, janë dhe do të jenë të pacenuara.
“Dhe, Kosova qëndron fort afër me partnerët e vet perëndimorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Mbi çdo interes individual dhe partiak – qëndron Kosova! Si PDK, falënderojmë dhe sigurojmë qytetarët për përkrahjen dhe besimin e qëndrueshëm e të përbashkët në interes të vendit tonë dhe vlerave tona perëndimore. I sigurojmë ata se do t’i kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona për t’i dhënë vendit një Qeveri me mandat dhe legjitimet qytetar, sa më parë”, tha Veseli.
Duke folur për ftesat për luftëtarët e UÇK-së që po vijnë nga Gjykata Speciale, e që mund të vijnë edhe në vazhdim, sipas Veselit nuk duhet të lejohet të shkaktojnë huti dhe pasiguri te qytetarët.
“Besimi ynë në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur, ashtu si edhe bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë edhe në fund të kësaj sfide”, ka deklaruar Veseli në konferencë për media.